Agim Pajaziti, i njohur ndryshe me emrin e artit MC Gima ka ndjekur ëndrrën e tij për tu bërë këngëtar pavarësisht sfidave me të cilat është përballur.
Në një intervistë për Abc, ai shprehet se problemi i të qenit person me aftësi ndryshe është zbuluar nga mjekët në moshën 10 vjeçare, ku dhe u tha se nuk kishte shpresë për përmirësim.
Falë mbështetjes që ka marrë nga familja dhe shumë qytetarë të tjerë, Gima tha se ia ka dalë të plotësojë ëndrrën e tij për tu bërë këngëtar.
“Është e vështirë por kur ke vullnet nuk të ndal gjë. Ka disa persona që më sponsorizojnë dhe ato që më ndihmojnë duke me bërë klipe nuk është se më marrin shumë. Afër kam pas djemtë e motrës dhe më pas edhe djali i vëllait.
Ëndrra ime ka qenë që të ndihmoja personat me aftësi të veçanta dhe deri më tani kam arritur që ta mundësoj, pasi dërgoj karroca përmes një shokut tim, dhe muzika është një tjetër ëndërr që unë kam arritur ta realizoj”, ka thënë ai.
Projekti më i fundit muzikor i tij është “Jeta”, dhe shprehet se për realizimin e teksteve i është mirënjohës Ekrem Ismailit.
“Ekrem Ismajli është ofruar që të shkruajë tekstet e këngëve të mia prej 11 vitesh. Më kujtohe gjithmonë kur më ka shkruar për herë të parë se kush ishte dhe më tha se sa herë që të kisha nevojë për tekste ta llogarisja, sa herë e kujtoj emocionohem se një tekst është i shtrenjtë për një këngëtar. Kam pas dhe një bashkëpunim me të që është një këngëtar. Ajo që më pëlqen më shumë është kënga që kam bërë me Gramozin që është për njerëzit me aftësi të kufizuara”, ka thënë ndër të tjera këngëtari./Albeu.com/