Kupa e Greqisë mes AEK dhe PAOK ka shumë gjasa që të mbahet në statdiumin “Air Albania” në Tiranë.
Derbi konsiderohet si një ndeshje me një rrezikshmëri relativisht të lartë dhe policia greke nuk ka marrë përsipër ta organizojë jo në Athinë por në asnjë qytet tjerë, e për këtë arsye do të zhvillohet në Tiranë.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se Federata Shqiptare e Futbollit ka pranuar këtë ndeshje kaq të përfolur. Me sa duket pas konsultimit me organet e tjera është gjetur mundësia për ta zhvilluar këtë ndeshje në stadiumin “Air Albania” por ende pa ndarë një date të saktë.
Diçka e tillë nuk është pritur mirë nga qytetarët grekë, të cilët kanë reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke kundërshtuar që ndeshja të mbahet në Shqipëri.
Sakaq në mes ka një ngërç, pasi në “Air Albania” do të zhvillohet koncerti i këngëtarit grek Nikos Vertis.
Ky i fundit do të zhvillojë koncert në këtë impiant më datë 25 maj dhe kjo teorikisht e bën të pamundur zhvillimin e ndeshjes së ndezur mes dy skuadrave greke në maj.
Vertis ka rezervuar stadiumin nga data 23 maj, deri më datën 26 maj, për të bërë përgatitjet e duhura për koncertin e parë të tij në vendin tonë.
Ndërkohë, më 28 maj, në këtë impiant është parashikuar të zhvillohet një shfaqje e Notre Dame de Paris, ndërsa data 1 qershor është rezervuar për finalen e Kupës së Shqipërisë./albeu.com/