Kukësi në krizë, mposhtet edhe nga Bylisi

Kukësi duket se ka harruar të fitojë dhe mbetet në krizë të thellë rezultatesh. Verilindorët janë mposhtur në transfertë nga Bylis me rezultatin 2-1. Heroi i vendasve ishte Edison Ndreca me dy gola në pjesën e parë, ndërkohë që në të dytën, të besuarit e trajnerit Mirel Josa provuan të rihapnin takimin me anë të Kurdiç.

Por, goli i boshnjakut shërbeu sa për statistikë, teksa vendasit ruajtën me fanatizëm avantazhin e krijuar duke marrë një tjetër trepikësh me shumë vlera pas atij të javës së kaluar me Vllazninë.

Ballshiotët mbeten në vendin e tetë, ndërkohë që kanë një diferencë prej katër pikësh nga Kastrioti i një pozicioni më lart, ndërsa poshtë tyre është Skënderbeu, gjashtë pikë larg. Sa i përket Kukësit, verilindorët mbeten të gjashtët me 32 pikë.


Shtuar 21.03.2021 15:31