Ndryshimet në vendimin për klasifikimin e funksioneve dhe strukturën e pagave parashikojnë që kufiri i pagës bazë mujore për punonjësit e administratës së njësive të vetëqeverisjes vendore të variojë nga 50 mijë deri në 57 mijë lekë.
Ndryshimi synon rregullimin dhe unifikimin e kufijve të pagesës sipas pozicioneve përkatëse, si dhe harmonizimin e strukturës së pagave në administratën vendore me atë qendrore.
Për herë të parë qeveria nisi zbatimin e politikës së indeksimit të pagave në masën e inflacionit.
Këshilli i Ministrave miratoi indeksimin e pagave me 2,5% për të gjitha pagat, ndërsa për disa profesione, u miratua edhe rritje e pagës për funksion, me efekt financiar që nga muaji janar i këtij viti.
Vlera e indeksimit varion nga 1 000 deri në 10 000 lekë në muaj, në varësi të kategorisë dhe pozicionit të punonjësit.
Rritja dhe indeksimi i pagave prek të gjithë sektorët e administratës publike, përfshirë mjekët, infermierët, mësuesit, punonjësit e policisë, zjarrfikësit dhe kategori të tjera të shërbimit publik.
Fondi i parashikuar për rritjen dhe indeksimin e pagave kap vlerën e 100 milionë eurove.
Sipas ligjit, indeksimi do të aplikohet një herë në dy vite, si një mekanizëm për ruajtjen e fuqisë blerëse të punonjësve nga efektet e inflacionit.
