Kryetarja e Bashkisë Lushnje del pas disa orësh nga SPAK, zbulohet arsyeja pse ishte thirrur

Kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, Eriselda Sefa është paraqitur këtë të martë në ambientet e SPAK. Mësohet se kryebashkiakja u mor në pyetje nga prokurorët e SPAK për hetimin ndaj deputetit socialist Bujar Çela.

Deputeti i PS-së Bujar Çela është në hetim, pas shpërthimit në magazinën e tij në Lushnjë. Nga shpërthimi i ndodhur në Lushnje mbetën të vrarë babë e bir, Roland dhe Elidon Hoxha. Gjithçka ndodhi teksa një vinç, ku ndodheshin dy viktimat Roland dhe Elidon Hoxha, po ngrinte një bombol oksigjeni që do të përdorej në lartësi për të kryer saldime, maja e mjetit të hekurt ka hasur në telin përcjellës të tensionit të lartë e për pasojë bombola ka shpërthyer. Babai ka ndërruar jetë në vinç, ndërsa i biri u transportua me ambulancë në drejtim të Tiranës, por fatkeqësisht rrugës ka ndërruar jetë.

Deputeti Bujar Çela u akuzua fillimisht nga Prokuroria e Fierit për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, “ndërtim të paligjshëm”, dhe “shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”. Çështja ndaj Çelës iu transferua për kompetencë Prokurorisë së Posaçme, teksa kjo e fundit ende nuk ka dalë në konkluzione konkrete lidhur me shpërthimin fatal. SPAK ka urdhëruar kryerjen e një sërë veprimeve, ndërsa është në pritje të konkluzioneve që do të nxirren mbi shkaqet.


Shtuar 14.01.2025 18:15

Tags: ,