Kryeprokurori Olsian Çela: Angazhim serioz në hetimin e krimeve zgjedhore

Këtë të mërkurë, i pranishëm në tryezën për “Çështjet Zgjedhore” të zhvilluar në Tiranë, kryeprokurori Olsian Çela, ka deklaruar se Prokuroria ka një angazhim serioz institucional dhe transparencë, për hetimin e veprave penale që cenojnë zgjedhjet

Në fjalën e tij, Çela tha se në Prokurorinë e Përgjithshëm është ngritur edhe një strukturë e cila shërben si pikë kontakti që bashkërendon, koordinon dhe shkëmben informacion me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, agjencitë ligjzbatuese dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, duke garantuar ruajtjen e sekretit hetimor.

“Prokuroria e Përgjithshme është angazhuar në garantimin e mbrojtjes juridiko-penale të zgjedhjeve të lira dhe sistemit demokratik të zgjedhjeve, duke marrë masa ligjore institucionale për rritjen e efektivitetit të hetimit dhe ushtrimit të ndjekjes penale ndaj autorëve të veprave penale që prekin zgjedhjet e lira”, tha Çela.

Çela tha se; “në fazën e hetimeve paraprake, u është kërkuar prokurorëve të vlerësojnë dhe trajtojnë me prioritet dhe në afate të përshpejtuara, çdo referim dhe kallëzim për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve ose të çdo vepre tjetër penale që dëmton procesin zgjedhor, në bashkërendim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për kallëzimet e paraqitura prej saj, dhe me agjencitë ligjzbatuese të specializuara, për kryerjen e hetimeve proaktive, përdorimin e mjeteve të posaçme të hetimit sipas ligjit, si dhe rritjen e intensitetit të hetimeve për këto grupvepra penale. Gjithashtu, ju është kërkuar t’i kushtojnë rëndësi caktimit të masave të sigurimit personal për këto grupvepra penale, të vlerësojnë ashpërsimin e kërkimeve, si për llojin e masave të sigurimit personal, ashtu dhe për llojin dhe masat e dënimit për veprat penale në fushën e zgjedhjeve”, vijoi Çela.

“Është ngritur edhe një strukturë në Prokurorinë e Përgjithshme e cila shërben si pikë kontakti që bashkërendon, koordinon dhe shkëmben informacion me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, agjencitë ligjzbatuese dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, duke garantuar ruajtjen e sekretit hetimor”, shtoi Kryeprokurori.

Për të siguruar një qasje bashkëpunimi, ndërgjegjësim dhe besim të publikut ndaj organeve të ndjekjes penale në luftën kundër krimit zgjedhor, është krijuar një rubrikë e veçantë në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, ku janë ftuar qytetarët të kallëzojnë shkeljet e ligjit që kanë dijeni ose që kanë cenuar interesat e tyre si zgjedhës ose të konstatuara prej tyre në periudhën parazgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve”, tha Çela.

Kryprokurori Çeka pasqyroi dhe shifrat e hetimit.

“Të dhënat në lidhje me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve tregojnë se gjatë vitit 2023 janë regjistruar 25 procedime penale dhe 19 të pandehur, ndërsa në vitin 2022 janë regjistruar 26 procedime penale dhe 16 të pandehur. Janë dërguar për gjykim 2 procedime penale me 14 të pandehur dhe janë dënuar 2 të pandehur, ndërkohë që në vitin 2022 janë dërguar për gjykim 3 procedime penale me 16 të pandehur dhe janë dënuar 14 të pandehur”, vijoi Çela.

“Sipas veprave penale, rezulton se peshën më të madhe të procedimeve të regjistruara e përbën vepra penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, për të cilën janë regjistruar 8 procedime penale dhe 6 të pandehur; për veprën penale të parashikuar nga “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar” janë regjistruar 5 procedime penale dhe 10 të pandehur, ndërkohë është dërguar për gjykim 1 procedim me 10 të pandehur dhe është dënuar 1 i pandehur; për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje” janë regjistruar 4 procedime penale dhe është dënuar 1 i pandehur; për veprën penale “Pengimi i zgjedhësit” janë regjistruar 3 procedime penale; për veprën penale “Shkelje të fshehtësisë së votimit” janë regjistruar 2 procedime penale dhe 2 të pandehur, etj”, u shpreh kryeprokurori.

“Dua t’i siguroj të gjithë se angazhimi ynë në hetimin e krimeve zgjedhore ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë serioz dhe gjetjet e këtyre raporteve do të vijojnë të trajtohen edhe në analizat vjetore në prokuroritë e rretheve gjyqësore si dhe më tej përgjatë vitit në vazhdim, me synim identifikimin e zbatimin e masave për rritjen e cilësisë së punës së prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm në këtë drejtim”, përfundoi Çela.


Shtuar 27.03.2024 15:58