Duke shpërndarë fotografi të disa vendvotimeve në veri të Kosovës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se ato përshkruajnë në të vërtetë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike”, të mbështetura nga komuniteti ndërkombëtar.
“Zgjedhje – të lira dhe të ndershme, me forca të armatosura dhe me mjete të blinduara! Kjo është Evropa në shekullin 21”, shkroi Bërnabiq në Twitter.
“Kjo tashmë bëhet normë e re demokratike, e prezantuar dhe e mbështetur nga krijuesit e Republikës së Kosovë”, shtoi ajo.
Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen sot në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka instaluar kontejnerë, që shërbejnë si qendra votimi, pasi strukturat lokale, të mbështetura nga Serbia, nuk kanë lejuar hapjen e shkollave si qendra të rregullta votimi.
Në zgjedhje nuk është duke marrë pjesë Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila, sikurse Beogradi zyrtar, ka bërë thirrje për bojkotimin e gjithë procesit.
Kusht i tyre për pjesëmarrje ka qenë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe tërheqja e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.
Me gjithë kundërshtimet e Beogradit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mbështetur zhvillimin e procesit zgjedhor në veri.
Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.
Zgjedhjet e parakohshme po mbahen pasi kryetarët e këtyre komunave – të gjithë nga radhët e Listës Serbe – kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës./rel