Kryeministri Rama: S’do lejojmë që kufiri ndarës mes pushteteve të jetë si një gardh me vrimë ku hyjnë e dalin qentë e minjtë

Këtë të hënë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, kryeministri Edi Rama, ka theksuar se vendosja e një kufiri të qartë mes pushteteve është thelbësore për funksionimin e shtetit demokratik.

Rama u shpreh se nuk ka parë, “rreth e rrotull globit të sistemeve dhe vendeve demokratike”, raste kur një anëtar i kabinetit të jetë pezulluar nga detyra për t’i dhënë drejtim një procesi hetimor.

Sipas tij, vendimmarrja nuk duhet të bazohet në arsye politike për të ruajtur ekuilibra të momentit, por në arsye kushtetuese.

“I kemi parë rreth e rrotull globit të sistemeve dhe vendeve demokratike që të jetë pezulluar një anëtar kabinet për ti dhënë një drejtim këtij procesi.

Në vend që të merret një vendim i bazuar në arsye kushtetuese merret një vendim i bazuar në arsyet politik për të mbajtur ekuilibra politik.

Mosvendimi bënë që cdo njëra nga ato figura që u përmendën në relacion të jenë vunerabël ndaj pezullimit. Që kufiri ndarës mes pushteteve të jetë si ato gardhet me një vrimë ku hyjnë e dalin qentë dhe minjtë, këtë bën kjo. Në këtë nuk do ta lejojmë. Kjo nuk ka lidhje me asnjë cënim të të drejtave që u jep pushtetit gjyqësor pavarësia që i kemi dhënë ne me vullnetin tonë dhe të padiskutueshëm, pas 100 vjetësh”, tha Rama.

Rama theksoi se pavarësia duhet të jetë e ndërsjellë dhe se gjyqësori nuk duhet të imagjinojë se mund të ndërhyjë në territorin e ekzekutivit.

“Vendosja e këtij kufiri është e rëndësishme për të përcaktuar edhe një ndarje tjetër që e vërej me keqardhje. Po pse vetëm pushteti gjyqësor është i pavarur? Kushtetuta e thotë që janë tre pushtete të pavarur, që do të thotë përvec gjyqësorit është edhe legjislativi edhe ekzekutivi. Për ca jemi të pavarur ne ne raport me gjyqësorin?! Dhe ku gjyqësori nuk duhet ta imagjinojë se mund të hyjë ne territorin tonë. Vendimet tona janë sovrane dhe nuk ka prokuror dhe gjykatës që ti verë në diskutim”, tha kryeministri.


Shtuar 16.02.2026 09:52