Kryeministri i vendit Edi Rama, nisi një vizitë pune në Itali dhe Spanjë, ku pritet të mbajë takime të nivelit të lartë me objekt diskutimi disa fusha me rëndësi të ndërsjelltë, mes tyre edhe procesi i integrimit të Shqipërisë.
Takime të nivelit të lartë për ecurinë e projekteve të bashkëpunimit me Italinë dhe në Samitin për Mbrojtjen e Demokracisë në Spanjë.
Të lidhura
None found
Kryeministria njofton se Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Romë dhe Barcelonë në datat 16–18 prill, në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë.
Gjatë qëndrimit në Itali, Kryeministri do të zhvillojë një takim me Kryeministren italiane, Giorgia Meloni, e më pas me Ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto.
Ndërsa në vijim të vizitës, Kryeministri Rama, do të marrë pjesë me ftesë të kryeministrit Pedro Sanchez, në punimet e mbledhjes së katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që zhvillohet në Barcelonë, Spanjë.
Punimet e samitit do të përqendrohen në tema kyçe si “Institucionet dhe multilaterizmi” si edhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimit te institucioneve demokratike dhe multilateralizmit, si dhe luftës ndaj pabarazive si themel për një demokraci të fortë.
Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama, do të zhvillojë edhe takime bilaterale me kryeministrin Sanchez, Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.
