Kryeministri Rama mbërrin në Korçë me helikopter ushtarak (VIDEO)

Mesditën e sotme, kryeministri Edi Rama, ka mbërritur në Korçë me helikopter ushtarak, për të marrë pjesë në inspektimin e përfundimit të punimeve në Polin e Dijes.

Kreu i qeverisë me anë të një postimi në Facebook, tha se fluturimi për në Korçë ishte i planifikuar dhe sipas tij nuk ka lidhje me bllokimin e rrugës në Librazhd.

Ashtu siç thotë kryeministri Rama, në Korçë do të shoqëroj një grup investitorësh, madje edhe drejt Vlorës.

“Nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare”, shkroi Rama në X.

Sa i përket shembjes së rrugës Përrenjasi-Librazhd, e cila është bllokuar që prej datës 21 shkurt, Rama thotë se shembje dherash ndodhin edhe në Itali, duke ia atribuuar dëmtimin e këtij aksi rrëshqitjeve gjeologjike dhe jo autoriteteve përgjegjëse.

 


Shtuar 23.02.2026 12:45