Kryeministri Rama: Akoma s’e kam marrë vesh se çfarë ka bërë Veliaj, kushtetuesja tha se Tirana e ka kryetarin, ta nxjerrin dhe të bëjë detyrën

Kryeministri Edi Rama, u ndal edhe te arrestimi i Erion Veliajt, teksa tha se kryebashkiaku i Tiranës mbahet në paraburgim pa gjyq.

Ai theksoi se tentuan që t’i jepnin Tiranës një kryetar të ri, por shtoi se u pengua nga organet e drejtësisë, duke iu referuar kthimit në detyrë të Veliajt nga Gjykata Kushtetuese.

Ky koment i kryeministrit, erdhi në përgjigje të një prej pyetjeve të gazetarëve gjatë konferencës së fundvitit se çfarë pritet të bëhet me bashkinë më të madhe në vend.

Ai theksoi se nuk mund t’ia adresojë këtë pyetje për shkak se tentativa e tyre u rrëzua nga vendimi që dha Kushtetuesja, e cila tha se Tirana e ka kryetarin.

“Po ku e ka”?- shtroi pyetjen kryeministri, duke shtuar se nuk ka edhe një vit e gjysmë për zgjedhjet, dhe se kryeqyteti duhet të ketë në zyrë kryetarin e bashki.

Kryeministri theksoi gjithashtu se ende nuk e ka kuptuar saktësisht se çfarë ka bërë Veliaj, duke shtuar se, “korrupsion në kuptimin e fjalës korrupsion s’e kam parë”.

Ai tha se kryetari duhet të gjykohet dhe nëse shpallet i fajshëm të futet në burg.

Pjesë nga fjala e Ramës:

I kyçur në qeli, pa gjyq. Ndërkohë që vazhdon kërkimi i provave. Unë akoma se kam marrë vesh se çfarë ka bërë konkretisht. S’e kam kuptuar çfarë ka bërë, korrupsion në kuptimin e fjalës korrupsion s’e kam parë. Mbase s’e kam parë unë. Di një gjë që çdo qytetar që nuk është pjesë e organizatave kriminale, jo për këtë konceptin e ri që ka dalë tani grup i strukturuar se grup i strukturuar do të thotë një grup njerëzish që bëjnë keq për një qëllim të përbashkët. Këta janë tjetër gjë dhe natyrisht që këta, për rrezikshmërinë që kanë, ka shumë më tepër arsye për të menduar se paraburgimi është gjëja e duhur. Pastaj këto rastet e veprave të rënda kur përfshin edhe korrupsionin, në flagrancë, që përsëri është padiskutim fare e natyrshme që të përfundojë në paraburgim, të gjitha rastet e tjera të paraburgimit duhet të jenë të argumentuara.

Merret kryetari i bashkisë së Tropojës jo ke firmos jo nuk ke firmos, është firma jote apo jo. Si e bën ti këtë mo? Ai është zgjedh nga populli. Merre, gjykoj dhe në fund me prova fute në burg, nëse është për burg. Nuk mund ta burgosësh ti se do ti dhe se ndihesh ti i fortë. Ne e kemi, në mos gabohem, atë numrin e të paraburgosurve, 94 në 100 mijë veta ose në 1 mijë veta. Belgjika e ka 10. Belgjika ka më shumë kriminalitet se Shqipëria. Duke qenë se është kryeqyteti, edhe Tropoja nuk e ka luksin ta ketë në burg kryetarin e bashkisë, pavarësisht se është në arrest shtëpie. U bë viti dhe ka deri në zgjedhje, edhe një vit e gjysmë. Ça do të bëjmë? Rri s’ka problem. Unë e bëra një provë që t’i jepnim Tiranës një kryetar bashkie. Gjykata Kushtetuese tha se Tirana e ka kryetarin e bashkisë, po ku e ka? Ta nxjerrin, të bëjë detyrën dhe nëse gjendet i fajshëm të bëjë dënimin. Nëse gjendet i fajshëm të shkojë edhe të bëjë dënimin. Kjo nuk shkon. Këto janë probleme që duhen marrë seriozisht nga të gjithë, qeverisja e gjyqësorit, Inspektori i Lartë i Drejtësisë.


Shtuar 30.12.2025 14:37