32-vjeçari Lear Kurti bashkë me një mikun e tij kanë qenë duke lëvizur me një mjet pranë Spitalit Ushtarak ku edhe ka zbritur nga kjo makinë.
Në momentin që ka zbritur, ka konstatuar një patrullë të policisë e cila ishte e vendosur disa metra më poshtë. Në këtë moment ai ka vrapuar.
Gazetari Ermala Vija, raporton se sipas dinamikës së zbardhur nga Prokuroria e Tiranës ka rezultuar se efektivët e Policisë i janë vënë në ndjekje deri në momentin kur e kanë ndaluar në rrugën Don Bosko, disa metra më poshtë spitalit.
I riu ka filluar të ndjehet keq dhe disa minuta pas mbërritjes në Komisariatin nr.3 gjendja e tij është përkeqësuar dhe më pas ka ndërruar edhe jetë.
Ai është dërguar në Spitalin e Traumës, por sipas mjekëve pa shenja jete dhe është dërguar menjëherë në morg.
Burimet nga Prokuroria thonë se gjatë ditës së sotme, do të kryhet autopsia në bazë të të cilës do dilet në një përfundim për shkaqet e vdekjes.
Verifikimet e kryera treguan se Kurti ishte edhe përdorues i lëndëve narkotike, ndërkohë ka pasur edhe precedentë të mëparshëm penal.
Ndërkohë, të njëjtat burime, konfirmuan se dëshmia e mikut të 32-vjecari mbetet kyçe deri më tani.
Ai ka deklaruar se e ka lënë mikun e tij në atë vend pranë një pike shërbimesh telefonike dhe do rikthehej me makinë ta merrte. Pas ngjarjes është shoqëruar nga Policia dhe ka deklaruar se miku i tij vuante nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme. Më tej ai ka shtuar se disa javë më parë, ka shfaqur të njëjtat shenja dhe ai e ka çuar pranë Spitalit të Traumës.
Bazuar në këtë dëshmi, hetuesit dyshojnë se ngjarja është pasojë e gjendjes së tij shëndetësore megjithatë, Prokuroria është në pritje të autopsisë që po kryhet në morgun e Tiranës.