Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët njëherësh edhe kryetar i komunës së Gostivarit ka kërkuar formimin e një qeveria teknike.
Pçrmes një shkrimi të tij në Facebook, ai shprehet se qeveria e Kovaçevskit është në hall dhe ka probleme të mëdha.
Sipas tij nuk është çudi që Kovaçevski të japë dorëheqjen.
Shkrimi i plotë i Taravarit:
Qeveri Teknike
Histeria politike që ka pushtuar planetin, duket se rezidencën e saj e ka në Maqedoni. Kaq të vegjël sa jemi gjeografikisht, është gati e paimagjinueshme që të kemi kaq shumë korupsion. Por ne që jetojmë e pësojmë përditë këtu, jemi dëshmitarë të gjallë të llomit burokratik e koruptiv ku pluskon çdo gjë dhe gjithçka.
Nga çmenduria e luftës më të afërt kontinentale është afektuar gjithë bota. Kanë nxjerrë shpatat sehirxhinj të rinj, e kanë mprehur më shumë thikat sehirxhinjtë e vjetër. Në mes të këtij kaosi sa të dhimbshëm aq të turpshëm, Maqedonia gjendet në një pozitë që vetëm mëshira e Zotit e mban ende me shpresë.
Sikur mos të mjaftonte mënyra kriminale e ardhjes në pushtet (manipulimi i vullnetit zgjedhor është krim që duhet dënuar), qeveria që është në sherr të vazhdueshëm me disa shtete, tani i ngjan më shumë një organizate siciliane të viteve “70” se sa insitucionit më të lartë drejtues të jetës së popullit.
Ju mungojnë unazat në gishtin e vogël, parashtesa Don se purrot dhe kostumet i kanë, dhe duken si kartelet e famshme kolumbiane ose meksikane.
Problemet e qeverisë Kovaçeski janë aq shumë sa mjerë ai që mund të gjendet në vend të tij. Është aq në hall sa nuk është çudi që të japë dorëheqjen ose t’i kalojë me pahir grupit të vuan dënimin në burgje me 5 yje All In Inclusive…
Gjithsesi nuk duhet fokusuar vetëm tek problemi por duhet besuar tek Zgjidhja.
Duke e konsideruar gjendjen më emergjente se kurrë, zgjidhje optimale dhe e vetme del formimi i një qeverie Teknike!
Pa bërë gara partiake, sepse deri tani kemi kuptuar që garat partiake manipulohen dhe nuk ka një Fitues por ka një Të Fituar…gjuha shqipe na lejon tepër qartë e shkurt ta bëjmë dallimin midis këtyre dy koncepteve krejt të ndryshme!
Është e domosdoshme që inatet partiake të dalin jashtë zyrave vendimarrëse, jashtë mureve të selive pushtetare, dhe të fillojë të funksionojë një kabinet qeveritar që do të mbushë xhepat e qytetarëve dhe jo xhepat e tyre personalë.
Ndërhyrje imediate profesioniste kërkohet në këto vatra që rrezikojnë gjithë vendin:
Korupsioni
Papunësia
Arsimimi
Shëndetësia
Administrata
Kur them administrata nuk duhet të nënkuptojmë më taktikën e deritanishme “parti e re në pushtet-fis i ri në punë”, por të investohet tek secili që është i punësuar për kualifikim gjithnjë e më të mirë.
Një pjesë e asaj që quhet ngritje profesionale e që do duhet ta kishin administratorët sot, është transformuar në tulla dhe tjegulla të eprorëve të tyre partiakë.
Investimi në përmirësimin profesional të atyre që punojnë në administratë është jo vetëm e drejtë e tyre por mbi të gjitha është favor për shtetin dhe qytetarët e tij.
Me shërimin e këtyre 5 pikave nevralgjike do të marrë frymë dhe ekonomia pasi Maqedonisë nuk i mungojnë paratë, i mungon transparenca. Paratë e popullit shkojnë në llogaritë bankare të një grupi të vogël e kështu qytetet kanë nga 4-5 bosa dhe pjesa tjetër ose shërbëtorë ose armiq të oborrit (por si njëra palë si tjetra mund të përkufizohen në hallexhinj)
Një problem tjetër që po na kushton dhe ç’është më e keqja mund të na kushtojë më shumë nga ç’pandehim është raporti ynë me fshqinjët e afërt dhe të largët.
Diplomacia pra është një sektor shumë i ndjeshëm ku duhet ndërhyrje ndërpartiake, pa pasione politike, me kthjelltësi dhe vizion pasi është moment vendimtar për të ardhmen e vendit.
Kemi dekada që presim një ditë, e jo sepse nuk jemi të aftë të dallojmë kohët, të nesërmen nga viti, të “së shpejti” me “së voni”…por sepse kemi qenë të gjithë viktima të tre kalendareve që nuk kanë të njëjtin ritëm kohor. Sipas kalendarit pushtetar të gjithë lajmëroheshim se maksimumi 1 muaj dhe BE-ja do fillonte negociatat, dhe pas hapjes së negociatave ishte çështje ditësh pranimi në BE (gjithnjë sipas kalendarit qeveritar).
Kalendari tjetër ishte ai evropiano-brukselian, ku dita zgjat sipas strategjisë politike, raporti është i thjeshtë- korupsion i lartë shton orët ditore. Sipas nivelit tonë të korupsionit bëmë që BE-ja të na masi një ditë sa një vit.
Kalendari tjetër dhe i fundit është ai gregorian. Ai që masim lindjet, dasmat, përvjetoret, ikjet pa kthim. Ky është dhe kalendari më i dhimbshëm dhe i vetmi që nuk është as në duart e qeverisë dhe as në duart e BE-së. Ky ndryshe është kalendari i popullit, ndaj të cilit çdokush është i pafuqishëm për të shtuar apo hequr ndonjë datë.
Qeveria Teknike do duhet ta ketë prioritet daljen nga kriza e dilemave historike dhe pajtimin e kalendarit qeveritar dhe atij të BE-sê me kalendarin e popullit ku dita është 24h!
Po kjo qeveri e cila le të jetë e përkohshme do duhet të vendosë shembullin për të gjitha qeveritë e tjera që do të vinë, duke punuar e duke mos pritur elozhe e lëvdata por duke mbaruar me sukses deryrat e saj e duke shpëtuar vendin.
A është kjo zgjidhja më e drejtë?!
Jo, natyrisht që jo! Dinastitë qeveritare kanë bërë shumë shkelje, vjedhje, abuzime, me pak fjalë Krime dhe çdo i tillë duhet dënuar por…a është e rëndësishme që tani të nisim hetuesinë e fajtorëve ndërkohë që fati i shtetit po rrokulliset drejt një vdekje klinike?!
Me logjikë të ftohtë dhe me përgjegjësi ndaj vendit, mbetet vetëm krijimi i Qeverisë Teknike që të nis operacinet tepër delikate për të cilat vendi ka nevojë.
Maqedonia nuk ka më nevojë për Stojanin që e ka futur n’punë djali i axhës dhe as për Shabanin që merita me të cilën ka marrë postin është lidhja e familjare me ndonjë shef partie. Tani është koha e të gjithë atyre zonjave dhe zotërinjve që kanë shkëlqyer në aulat e universiteteve vendorë e Ndërkombëtare, që e duan vendin e mbi të gjitha njerëzit e këtij vendi, është koha e qeverimit nga Ekspertë. Ky propozim del mbi çdo koncept partiak, madje edhe mbi vet partinë pasi gjendemi jo në një udhëkryq por fatkeqsisht buzë greminës. Nuk ka as një minutë kohë për lojra politike apo për pseudo-strategji! Kovaçeski duhet të mbledhë menjëherë partitë politike dhe bashkë me to të mbledhë dhe mendjen, kurse partitë të vihen në front të kësaj pune që duhet zgjidhur ose tani ose ndryshe nuk do të ketë më vend për asnjë zgjidhje, nuk do të ketë ç’ujë të hidhet mbi një zjarr të shuar por që ka djegur gjithë vendin./albeu.com/