Ditën e sotme, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, foli pas mbledhjes së Qeverisë dhe teksa shpjegoi për vendimet e marra që lidhen me dikasterin që drejton, foli edhe për krizën e karburanteve dhe çmimin e tyre.
Ai u shpreh se taksa e qarkullimit nuk do të ndryshonte dhe as implikimet fiskale nuk do prekeshin në kohë krize, por la të kuptohej se çmimi i naftës mund të ndryshonte nëpërmjet Bordit të Transparencës.
Të lidhura
None found
Në lidhje me taksën e qarkullimit të mjeteve, Karakaçi i qëndroi linjës së mëparshme ekzekutive se; “kush harxhon më shumë naftë paguan më shumë taksë”.
“Dua të theksoj një element, shpesh ka një keqkuptim për taksën e qarkullimit, çdo shtet e ka atë, por mënyra si vilet është në varësi të praktikave të shteteve përkatëse. Ka shtete që e mbajnë si taksë vjetore të mjeteve të transportit dhe ka si Shqipëria që e ka taksën e qarkullimit me çdo litër karburant të konsumuar. Vlerësimi i qeverisë shqiptare, siç unë e kam thënë edhe më përpara, është që vjelja e taksës së qarkullimit nga konsumi i litrave të naftës është më proporcional, sepse paguan më shumë ai konsumator apo klient që harxhon më shumë për mjetin apo përdor më shumë litra. Vlerësimi i qeverisë është se mbajtja e taksës nga sasia e litrave të naftës është më proporcional me qytetarin dhe në aplikimi i saj”, u përgjigj ministri para gazetarëve të interesuar ditën e sotme (1 prill).
Kurse për çmimin aktual të naftës dhe mundësinë e rritjes së tij të mëtejshme, ai tha se Bordi nuk është mbledhur edhe pse kishte mundësi për rritjen e saj me 1 lek.
“Përsa i përket mekanizmave që lidhen me reduktimin e barrës fiskale të karburanteve, e kemi shprehur dy janë masat e marra dhe që po vlerësohet. E para është Bordi i Transparencës që vendos çmimin tavan apo ndërhyn nëse ka kalim të tij sipas nivelit të vendosur 220 lekë. Deri tani ky limit nuk është kaluar e prekur, pra nuk kemi kalim në 221 lekë. Pra sot edhe pse çmimi është 218 lekë, mund të kishte hapësirë për rritje më të lartë me 1 lek dhe nuk është mbledhur Bordi, metodologjia përkatëse është transparente”, shtoi Karakaçi në shpjegimin e tij.
Kurse për tabelën fiskale dhe akcizën, i qëndroi mendimit se; “implikimet fiskale në kohë krize nuk duhen prekur”. Por ai shpjegoi se aktualisht po bëhet një shqyrtim për uljen e mundshme të saj, gjithmonë në varësi të çmimit të karburanteve.
“Përsa i përket implikimeve fiskale, Qeveria ka mbajtur qëndrim që ato nuk duhen prekur dhe sidomos në kohën e krizës. Megjithatë i referohem edhe ministres së Ekonomisë që para disa javësh ka dalë në dalje publike dhe ka referuar planin e qeverisë për të shikuar uljen e taksës së akcizës mbi rritjen e caktuar të çmimit të karburanteve, i cili në dijeninë time është në faza të avancuara dhe pritet vlerësimi dhe shqyrtimi i tij”, përfundoi ministri fjalën e tij.
