Kritikohet ashpër operacioni anti-drogë në Brazil, ku policia vrau 25 persona

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka kritikuar ashpër operacionin anti-drogë  në Rio de Zhanero ku policia gjatë bastisjes vrau 25 persona, përfshirë një oficer.

Banorët e Jacarezinho, një nga lagjet e varfëra më të mëdha të qytetit, thonë se policia vrau të dyshuar që dëshironin të dorëzoheshin dhe ka hyrë nëpër shtëpi pa urdhër.

Nga ana tjetër, policia ka mohuar çdo pretendim.

Zonat e gjera të Rio de Janeiro, një nga qytetet më të dhunshme të Brazilit, janë nën kontrollin e kriminelëve, shumë prej tyre të lidhur me banda të fuqishme të trafikut të drogës.

Bastisja, me rreth 200 oficerë policie dhe një helikopter të blinduar me një snajper, filloi në orët e para të së enjtes.

Policia hyri në një favela, lagje e varfër e kontrolluar nga Comando Vermelho, ose Komanda e Kuqe, një nga organizatat më të mëdha kriminale të Brazilit.

Bastisja ndodhi pavarësisht nga një vendim gjykate qershorin e kaluar që kufizoi veprimin e policisë në zonat e varfra të Rio gjatë pandemisë përveç ndonjë vendimi të veçantë./albeu.com


Shtuar 7.05.2021 13:43