Krimi në një të vrarë dhe tre të plagosur, Prokuroria e Mitrovicës: Autorët hynë të maskuar në lokal dhe qëlluan me armë

Një tjetër vrasje ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në Kosovë. N.L., 39-vjeçar dyshohet se u qëllua për vdekje me armë zjarri në një kafiteri në Runik të Skënderajt, ndërsa të plagosur mbetën edhe tre persona tjerë të cilët u dërguan për t’u mjekuar në QKUK në Prishtinë.

Lidhur me rastin është deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.

Ai tha se prokurorja e rastit së bashku me njësitet tjera relavante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë”.

Preteni tha se deri më tani autorët nuk dihen dhe të njëjtit kanë hyrë të maskuar në lokal.

“Prokurorja e rastit ka dalë në vendin ngjarjes me njësitë e tjera relevante. Deri më tani dyshohet se dy persona të maskuar kanë hy në lokal kanë shti me armë zjarri, një person ka mbetur i vrarë dhe tre të plagosur. Prokurorja e ka iniciuar rastin si “vrasje e rëndë”. Nuk dihen autorët deri më tani”, tha Preteni.

Policia ka konfirmuar se të shtënat me armë zjarri ndodhën rreth orës 01:21.

Në vendin e ngjarjes u gjetën gëzhoja plumbash.

“Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja”, informoi policia.

Policia tha se po punon për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal , janë duke punuar intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e kryesit/ve  të veprës si dhe zbardhjen e kësaj vepre penale”, tha policia.

Me urdhër të prokurores trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Nga QKUK u konfirmua se njërit prej të plagosurve i është amputuar këmba./express


Shtuar 10.08.2023 10:40