Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka shkuar në zyrën e drejtorit të policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Sipas informacioneve paraprake, temë diskutimi janë ngjarjet e fundit kriminale, me në krye sulmin e fisit Rraja ndaj kushërinjve Maja dhe atentatin ndaj Gentjan Bejtjës së Larushk të Krujës, ku mbeti i vrarë Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e shënjestërës.
Kujtojmë se pamjet e publikuar ditën e djeshme, ku shiheshin rreth 10 anëtarë të fisit Rraja duke dhunuar barbarisht me shkopinj bejzbolli në një kafe dy kushërinj të fisit Maja në Borizanë. Madje, vëllai i deputetit të PS, Rrahman Rraja, i drejton armën njërit prej tyre.
Policia ka arrestuar 4 prej tyre, ndërsa vijon puna për kapjen e tre të tjetrëve, mes tyre dhe djali i deputetit Rraja, Ramazan Rraja, i arrestuar dhe në vitin 2018, për dhunën ndaj Xhisiela Malokut.
Sherri i fundit në Borizanë ka ndodhur për shkak të Gurores së Krujës e cila është në pronësi të Rrajave, ndërsa Majat kanë denoncuar në polici se punimet në të sjellin shumë zhurmë dhe gjithashtu kanë dëmtuar banesat.
Kujtojmë se dje, Çuçi reagoi ku u shpreh se pamjet e dhunës në Krujë janë të papranueshme dhe se askush nuk është mbi ligjin, duke shtuar se autorët nuk do t’i shpëtojnë përgjegjësive.
Reagimi i Çuçit:
Të rënda e të papranueshme pamjet e dhunës në Krujë. Askush nuk është mbi ligjin dhe s’mund t’u shpëtojë përgjegjësive në asnjë rrethanë. Policia e Shtetit ka ushtruar kontroll të imtësishëm në banesat e të dyshuarve, ka arrestuar 4 persona sot herët në mëngjes dhe po punon për kapjen sa më parë të 3 të tjerëve të përfshirë në ngjarje. Çdo insinuatë tjetër s’ka lidhje me të vërtetën dhe me punën e Policisë së Shtetit për të çuar autorët përpara drejtësisë.