Krimi në familjen shqiptare në Greqi! 12-vjeçari gjeti vëllain e vdekur në tokë, autori i ngarkoi kufomat në rimorkjo për t’i zhdukur

Mbrëmjen e djeshme një ngjarje e rëndë u raportua nga Greqia, ku një familje u “zhduk” plotësisht.

Ilia është tronditur, por edhe e gjithë Greqia, nga vrajsa e katërfishtë e ndodhur dje në Andravidë, ku viktima ishin dy fëmijë të vegjël dhe prindërit e tyre, Armando nga Lushnja dhe Maria nga Rumania.

Katër anëtarët e familjes u gjetën të vdekur pasditen e djeshme në shtëpinë e tyre nga fëmija i tretë i familjes, një djalë 12-vjeçar i cili kishte lindur nga martesa e mëparshme e Marias.

Sipas mediave greke i mituri ishte duke luajtur me biçikletë në lagje kur u kthye në shtëpi dhe pa vëllain e tij 2-vjeçar të vdekur në dysheme.

Detajet e krimit dolën në dritë pasi dëshmitarët okularë treguan se kur djali 12-vjeçar pa vëllain e tij të vdekur e mori në krahë dhe doli në rrugë duke kërkuar ndihmë nga kalimtarët. Qytetarët kalimtarë njoftuan menjëherë Policinë dhe një autoambulancë e ka transportuar foshnjën në Qendrën Shëndetësore Gastouni, ku thjesht ka konstatuar vdekjen.

Fillimisht u mendua se autori i krimit ishte i ati shqiptar, ku pretendohej se ai fillimisht vrau familjarët e tjerë, e më pas veten.

Por kjo pistë e hetimit ra poshtë, pasi sipas policisë, në vendngjarje nuk u gjet arma e krimit.

Pra familjarët janë vrarë nga një person i jashtëm.

Vlen të theksohet se katër anëtarët e familjes kanë humbur jetën tragjikisht në mënyra të ndryshme pasi dy fëmijët duket se kanë vdekur nga mbytja ndërsa çifti dyshohet se kanë vdekur duke u qëlluar me armë zjarri.

Policia është në kërkim të autorit të vrasjes së katërfishtë, i cili mund të jetë i njohur i vjetër i njërit prej dy prindërve, jashtë ambientit familjar. Sipas informacioneve nga mediat greke, autori ka transportuar kufomat e çiftit dhe një fëmije në oborrin e shtëpisë ku i ka ngarkuar në një trajler për të zhdukur gjurmët e tyre, por nuk ka arritur të përfundojë planin e tij, pasi diçka duket është trembur kur fëmija tjetër ka hyrë në shtëpi. Trupat e 32-vjeçarit dhe 28 -vjeçares janë gjetur në një rimorkio në depon e shtëpisë, ndërsa fëmija 3-vjeçar është gjetur në dyshemenë e magazinës, ngjitur me rimorkion. Ndërsa fëmija tjetër, dy vjeç u gjet i vdekur në shtëpi nga vëllai 12-vjeçar. Në brendësi të shtëpisë janë gjetur edhe njolla gjaku të shpërndara, ndërsa plagët e shkaktuara në trupat e burrit dhe gruas i referohen plagëve me armë zjarri.


Shtuar 3.03.2022 16:39