Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është arrestuar shtetasi Gjergji Fela, i dyshuar për krijimin e një skeme mashtruese fiskale, që ka sjellë dëme të konsiderueshme në buxhetin e shtetit.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, Gjergji Fela, 50 vjeç, akuzohet për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH)” dhe “Fshehje e të ardhurave”, të parashikuara nga nenet 144/a dhe 180 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 5787 të vitit 2024, të zhvilluara në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Seksionin e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, ka rezultuar se subjekti tregtar “Dorina Fela” ka kryer shitje të dyshuara fiktive në vlerën totale 149,875,867 lekë. Si pasojë, dëmi i përllogaritur ndaj buxhetit të shtetit kap shifrën 62,670,861 lekë.
Sipas organit të akuzës, veprimet janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skeme mashtruese fiskale për përfitimin e padrejtë të kreditimit të TVSH-së dhe uljen e bazës së tatueshme për tatimin mbi fitimin, duke cenuar interesat financiare të shtetit.
Në kuadër të këtij procedimi penal, Fela u arrestua pasi dyshohet se ka pasur rol organizues dhe drejtues në këtë veprimtari të paligjshme, duke përdorur subjektin tregtar në emër të bashkëshortes së tij për realizimin e skemës mashtruese.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës dhe pasojave financiare të saj.
