Kreu i SPAK: Kemi rritur bashkëpunimin me autoritetet e huaja dhe goditjen e pasurive kriminale

Kreu i SPAK Arben Kraja ka raportuar tek Komisioni i Ligjeve në lidhje me punën e institucionit që drejton për vitin 2020.

Gjatë fjalës së tij, Kraja tha se SPAK ka rritur bashkëpunimin me autoritetet e huaja dhe është rritur goditja e pasurive kriminale.

“Nga 746 persona nën hetim, 515 prej tyre janë hetuar me masa sigurimi, ndërsa 231 persona janë hetuar në gjendje të lirë. Nga personat e hetuar me masa sigurimi, 288 prej tyre janë hetuar me masën arrest me burg, nga të 257 janë ekzekutuar ndërsa për 31 persona është vendosur masa e sigurisë arrest në mungesë.  Masa e sigurisë arrest me burg për 198 persona është vendosur për veprat penale që lidhen me krimin e organizuar.

Më shumë procedime kemi në fushën e korrupsionit. Zyra e Përgjimeve është në gjendje pune, me kapacitet të plotë. Ne kemi bashkëpunuar ndërkombëtarisht, siç parashikon ligji. Në SPAK janë trajtuar 69 kërkesa nga vendet e tjera, 20 prej të cilave kanë qenë të mbartura nga Krimet e Huaja. Numri i lartë i tyre tregon besimin e institucioneve ndërkombëtare tek SPAK. Veprat penale të hetuara bashkë me të huajt kanë qenë ato për trafik të lëndëve narkotike dhe grup i strukturuar kriminal. Janë kryer edhe ekstradime me shtete të huaja, 43 gjithsej. Kemi bashkëpunuar edhe me antimafien dhe antikrimin në Itali, si dhe autoritetet në Kroaci. Edhe në kuadër të OFL-së, SPAK ka mbrojtur para gjykatës kërkesat për sekuestrim pasurie”, tha Kraja./albeu.com

 

 


Shtuar 4.06.2021 11:36