Kreu i Autoritetit të Konkurrëncës, Denar Biba, ka raportuar sot punën vjetore të këtij institucioni ne Komisionin e Ekonomisë.
Ai tha se në vitin 2022 janë marrë 99 vendime nga Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës dhe janë derdhur 26 milionë lekë në buxhetin e shtetit.
Biba u shpreh se Autoriteti i Konkurrencës nuk ka për qëllim vendosjen e gjobave, por në momentin kur ka shkelje, autoriteti ka për detyrë të vendosë penalitete.
Gjithashtu Biba foli për çmimet e karburanteve. Ai tha se në lidhje me këtë u bën një hetim i cili rezultoi pa gjetje, ndërsa theksoi se çmimet e karburanteve në Shqipëri nuk janë më të lartat në rajon.
“Unë nuk e përceptoj autoritetin si gjobaxhi ku synimi i vetëm është të vendosim gjoba. Ka disa kompani që xhiron vjetore e kanë të lartë paçka se fitimin mund ta kenë të ulët. Ju takon edhe juve të bëni lidhje të tilla që ata të taksohen aty ku dihet. Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë një opinion tangjent për aq sa vlerësuam në atë vendimmarrje, që bordet e këtij karakteri vijnë në kundërshtim me të drejtën e konkurrencës, por rast pas rasti, jo më larg se dje qeveria e Britanisë së Madhe ka nisur diskutimin me supermarketet për të vendosur një çmim tavan vullnetar. Vullnetarisht e ka dhe Greqia por ka vendosur një lloj penaliteti në rast se kalojnë mbi një vlerë të caktuar taksimi do të jetë trefish nga ana e shtetit. Bordet kanë ekzistuar në historinë e çdo ekonomie botërore, në situata krizash ka pasur borde. Çmimet në lidhje me karburantet dhe telefoninë nuk më rezulton të jenë më të lartat në rajon.
Në lidhje me karburantet ne nisëm një hetim që rezultoi pa gjetje. Në termat e ligjit legjislacioni i mundëson autoritetit të konkurrencës të hyjë si vëzhgues e më pas si ndëshkues i këtyre fushave të caktuara”, tha kryetari i Autoritetit të Konkurrencës Denar Biba./albeu.com//