Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën vendimin e shkarkimit nga detyra për prokuroren e Tiranës, Alketa Zifla.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 14 qershor, Komisioni konstatoi përfitimin e një kredie të butë nga Bashkia e Fierit, ndërkohë që kishte vendosur mosfillimin e hetimit mbi zyrtarët lokalë që akuzoheshin për shpërdorim detyre në ndarjen e banesave sociale. Zifla u mbrojt duke sjellë në vëmendje se, edhe pas ripahjes së hetimit të urdhëruar nga gjykata, kjo e fundit kishte vendosur pafajësi për të pandehurit.
Gjithashtu KPK evidentoi kryerjen e veprimeve fiktive për përfitimin e kredisë, për të cilat prokurorja Zifla tha se kanë qenë të diktuara nga kushtet financiare dhe për strehimin e fëmijëve.
“Fjala që më goditi më shumë ishte ‘fiktivitet’. Mund të duket kështu, por ato veprime janë pranuar pasi kanë qenë të diktuara nga kushtet e mia financiare dhe për strehimin e fëmijëve. Alternativa për të përfituar kredi apo strehim me çmimet e tregut ishte ‘zero’. Kam qenë e pastrehë në çdo detaj për të përfituar një kredi lehtësuese,” deklaroi Zifla dhe theksoi se edhe aktualisht nuk e kishte zgjidhur ende problemin e strehimit për familjen e saj.
“Pas 12 vitesh jetoj ende me qira. Mendoj se nuk mund të ketë qenë një hap i mirë në logjikën ekonomike, por absolutisht jo në shkelje të ligjit dhe që të ketë fiktivitet. Nuk kanë sjellë asnjë pasojë. Edhe çmimi i rivlerësimit ka qenë detyrues. Çmimi real ëshë aq sa është në kontratë,” këmbënguli Zifla.
Prokurorja Zifla u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Alketa Zifla e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe ka punuar fillimisht si prokurore në Prokurorinë e Tepelenës. Në vitin 2008, ajo u emërua prokurore në Fier, ndërsa në 2013-ën u transferua në prokurorinë e Tiranës.
Me ngjitjen e Arta Markut në krye të Prokurorisë së Përgjithshme në dhjetor 2017, Zifla u emërua shefe e kabinetit. Pas largimit të Markut, ajo u rikthye në Prokurorinë e Tiranës.
Procesi i vetingut për Ziflën u krye nga trupi gjykues i kryesuar nga Etleda Çiftja, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen.