Himara pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, ndërsa nesër mblidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që do të shqyrtojë shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, Dhionisios (Alfred) Beleri.
Dhionisis Alfred Beleri, kreu korrupsion në zgjedhjet lokale nga të cilat u zgjodh kryebashkiak i Himarës. Por gjatë 13 muajve në paraburgim ky mandat nuk u bë funksional pasi ai nuk u betua. Pasoja direkte e vendimit të apelit është humbja e mandatit si kryetar i zgjedhur i bashkisë Himarë.
Gjykata e Apelit të Posaçëm e gjeti fajtor 52-vjeçarin. Ndaj tij qëndroi në fuqi dënimi dy vjet burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Njoftimi:
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvillon seancë publike ditën e Enjte, datë 04.07.2024, ora 11:00 me këtë rend dite:
Çështje për shqyrtim rishtas:
1. Projektvendim “Për shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të Kryetarit të Bashkisë Himarë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, i propozuar nga subjekti zgjedhor Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.
2. Projektvendim “Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues z. Gentjan Fiqiri Muça anëtar në Këshillin e Bashkisë Tiranë, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Demokratike e Shqipërisë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.
3. Projektvendim “Për plotësimin e vakancës në Këshillin e Bashkisë Vau-Dejës, me kandidatin nga lista shumemërore e subjektit zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, zj. Sanilje Reshit Salja”.
4. Projektvendim “Për disa ndryshime në udhëzimin nr. 14, datë 9 qershor 2021, të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, “Për caktimin e kritereve, procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e ekspertëve kontabël të licensuar (audituesve ligjorë) dhe kushtet kontraktuale për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik dhe subjektet zgjedhore dhe kandidatët e tyre në fushatën zgjedhore”, i ndryshuar”.