KQZ i hoqi mandatin Fredi Belerit, Kryeministria letër presidentit Begaj

Kryeministri Edi Rama, pasi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, shpalli të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës, i ka dërguar kërkesë presidentit Bajram Begaj, për të shpallur datën për të mbajtur zgjedhjet e parakohshme lokale në këtë qytet.

Teksa kanë kaluar vetëm disa orë nga dhënia e vendimit nga KQZ, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, i është drejtuar me një shkresë Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, ku i kërkon që të caktojë datën e zgjedhjeve tëreja për Bashkinë e Himarës.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shpalli të pavlefshëm këtë të premte mandatin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës, pas dënimit të tij me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, e cila e dënoi me 2 vite burg për krim zgjedhor.

Gjatë mbledhjes, Beleri pretendoi se shqyrtimi i mandatit të tij nuk kishte bazë ligjore, pasi sipas tij, fillimisht duhet të lejoj të betohet si kryebashkiak dhe më pas të shkarkohej dhe i kërkoi Celibashit që t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, por pretendimet e tij nuk u morën parasysh.

Me shpallje e pavlefshëm të mandatit të Belerit, kreu i shtetit Bajram Begaj pritet të shpallë zgjedhjet e reja për Bashkinë e Himarës. Kryeministri Edi Rama pritet të kandidojë ish-ministrin e LSI-së, Vangjel Tavo, me të cilin ka filluar prej kohësh fushatën, duke e emëruar dhe prefekt të Qarkut Vlorë. Ndërsa nga krahu i PBDNJ-së së Vangjel Dules po përflitet emri i Petros, djalit të Fredi Belerit.

 


Shtuar 5.07.2024 15:01