KQZ i akordoi vendin në Parlament, reagon Kleana Xhuveli: Mandati do të rikthehet tek i zoti kur të fitojmë betejën ligjore

Kleana Xhuveli, kandidate në listën e mbyllur të koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’, njoftoi se do të ushtrojë mandatin e deputetes, i cili iu akordua ditën e sotme nga kreu i KQZ Ilirjan Celibashi i cili shqyrtoi dokumentacionin.

Në një deklaratë për mediat pas marrjes së mandatit këtë, Xhuveli theksoi se ky vendim është marrë në bazë të rrethanave aktuale dhe dëshirës për të mbështetur misionin e listave të hapura, të cilat përbëjnë themelin e lëvizjes së tyre politike.

Ajo premtoi se do të përfaqësojë me dinjitet mandatin e shqiptarëve që votuan koalicionin, ndërsa theksoi se, “në ditën që beteja ligjore do ta rikthejë mandatin tek i zoti, tek njeriu më i votuar i lëvizjes, Adriatik Lapaj, unë do të jem aty për të garantuar vijimësinë e këtij procesi”.

“Duke qenë se lëvizja jonë ka në themel garën me lista të hapura, zotohem se do ta përfaqësoj me dinjitet mandatin.

Në ditën që beteja ligjore do ta rikthejë mandatin tek i zoti, tek njeriu më i votuar i lëvizjes tonë, Adriatik Lapaj, unë do të jem aty për të garantuar vijimësinë e këtij procesi”, deklaroi Kleana Xhuveli.


Shtuar 23.07.2025 14:22