Kostoja e të jetuarit ndershëm në Shqipëri!

Nga Emirjon Senja

Në Shqipëri të kushton shumë ndershmëria. Kushton aq shumë të jetosh ndërshem dhe me dinjitet sa mund të paguash deri edhe me jetë këtë “mëkat”, i cili është pjesë e natyrshmërisë njerëzore. Duhet të jetë kështu, por jo në një vend si i yni dhe në një shoqëri si e jona.

Kostoja e ndershmërisë fillon si një taksë e përhershme që duhet të paguash sa herë zgjedh të mos prishësh radhën; kur shlyen taksat, faturat, apo kur zbaton rregullat e qarkullimit rrugor, kur beson te sistemi dhe shteti që presupozohet që është aty për të të zgjedhur hallin, pasi përherë ka kodoshë që do të përfitojnë në këto raste duke i dhënë një shuplakë të mirë egos tënde, e cila në çdo rast duhet të përmbahet që të mos lesh kalamajtë rrugëve.

Kostoja vazhdon e rritet teksa për shkak se vendi është kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave, ti nuk investon dot për të bërë një biznes, ashtu pra, ndershëm, pasi ai përballë apo anash është i gatshëm të investojë dyfishin apo trefishin tënd, pa patur frikë se mund të falimentojë pasi e do vetëm për të printuar fatura duke të çuar kot kursimet e jetës.

E nëse për ty ishin kursimet e jetës, për atë anash apo përballë ishte një “rrugë” apo një “goditje” në sistemin e kalbur që kemi ndërtuar, me të korruptuar, rryshfetçinj e matrapazë, me sytë e shkuqur gjak, në pritje të presë së radhës.

Për shkak të situatës së paprecedentë të krijuar në treg nga flukset e mëdha të parasë së zezë, babëzisë së përgjithshme që na karakterizon, tangërllëkut, por edhe padijes së theksuar, po paguajmë çmime të llahtarshme për një metër katror apartament, për ushqime, makina, veshmbathje, etj.

Sërish, ti që je i ndershëm dhe ke të ardhura modeste apo normale do të duhet të jetosh me kutin e atyre “anash apo përballë” duke përballur çmime dhe kosto jetese si në shtetet më të zhvilluara në botë.

E nëse ke zgjedhur të jesh biznesmen i ndershëm, lloj lloj banditi të troket në derë duke kërkuar taksën e tij, përpos rryshfetit që është kthyer në normë sa herë që ata me kravata apo me bexha të futen në zyra.

E sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, ti do të jetosh me dinjitet duke punuar, me djersën e ballit si i thonë llafit, por sërish “ata anash apo përballë” nuk të lenë duke të vrarë në vendin e punës, ashtu egërsisht, krejtësisht pa faj, siç vranë mbrëmë Mimozën, e siç mund të na vrasin secilin prej nesh nesër në lokal, rrugë, dyqan, qendër tregtare, zyrë, kudo!

Sa më është dhimbsur ajo zonjë fisnike mbrëmë!

/albeu.com


Shtuar 13.03.2023 20:10