Qeveria shpenzon nga taksat tona rreth 785 euro në vit për nxënës për shërbimin e arsimor në ciklin 9-vjeçar.
Kostoja për nxënës në të gjitha nivelet e studimit në arsimin publik është llogaritur nga Ministria e Arsimit në ndarjen e fondeve sipas programeve.
Sipas të dhënave zyrtare në arsimin 9-vjeçar në këtë vit shkollor janë rreth 260 mijë nxënës.
Vetëm për shërbimin e mësimdhënies është përcaktuar në buxhet rreth 22 miliardë lekë, që përfaqëson kryesisht pagat e mësuesve. Shpenzimet për nxënës gjatë një viti shkollor llogariten në 82,425 lekë ose rreth 785 euro.
Në arsimin e mesëm, kostoja është disi më e lartë. Shpenzimet publike për një nxënës gjatë një viti shkollor në gjimnaz llogariten 104,020 lekë nga Ministria e Arsimit ose një rreth 990 euro.
Në arsimin e lartë publik, në nivelin e parë, shërbimi i mësimdhënies për një student është 1326 euro.
Kostot për nxënës në arsimin publik pritet të rriten në vitet në vijim nga ulja e numrit të nxënësve dhe rritja e pagave të mësuesve.
Kostot reale janë edhe më larta, pasi një pjesë e tyre mbulohen nga prindërit, të tilla si shpenzimet e transportit, pajisjet shkollore që përfshijnë mjetet dhe librat përballohen nga prindërit.
Këtë shkollor 2023-2024 në të gjitha institucionet e arsimit para-universitar rreth 29 mijë nxënës u ulën në bankat e shkollës për herë të parë. Numri është i njëjtë në krahasim me një vit më parë pasi Ministria e Arsimit ndryshoi kriteret për regjistrim në klasë të parë.
Këtë vit shkollor mund të regjistroheshin të gjithë fëmijët që mbushin 6 vjeç deri në dhjetor, ndërsa deri vjet regjistroheshin vetëm ata që mbushin 6 vjeç deri në ditën e fillimit të vitit shkollor.
Në klasën e 10, rreth 27 mijë nxënës nisën vitin akademik 2023-2024 nga rreth 28 mijë që ishin vitin kaluar. Rënia më e madhe në ketë grupmoshë, veç të tjerash vjen nga emigracioni i lartë i të rinjve minorenë.
Sistemi arsimor parauniversitar po preket rëndë nga flukset e larta të emigracionit në moshat e reja.
Numri i fëmijëve që nisën klasën e parë këtë vit është 2.6 herë më i ulët se në vitet e para të tranzicionit 1994-1995 ku regjistroheshin në klasë të parë rreth 77 mijë nxënës në vit./monitor