Kosova shtrëngon masat pas rritjes së rasteve me Covid-19, hyjnë nesër në fuqi

Qeveria e Kosovës pritet të miratojë të premten, 21 janar, masa të reja për luftim të pandemisë së koronavirusit, pas rritjes së numrit të rasteve të infektimit në këtë shtet.

Vendimi i ri pritet të hyjë në fuqi më 22 janar.

Në mesin e vendimeve që pritet të merren është edhe ai se qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese.

Ata që nuk kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë.

Kufizimi i qarkullimit pritet të aplikohet nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Ndryshime pritet të ketë edhe sa i përket procesit mësimor.

Të gjitha institucionet e arsimit para-universitar duhet të zhvillojnë mësimin sipas skenarëve të përcaktuar më herët, varësisht prej gjendjes nëpër klasa.

Autoritetet e Kosovës kanë miratuar më parë tre skenarë për zhvillim të mësimit në kohë të pandemisë.

Skenari A ka të bëjë me zhvillimin e mësimit në ambientet shkollore. Skenari B, apo mësimi i kombinuar përfshin rikthimin e pjesshëm të nxënësve në shkolla (prezencë e nxënësve në shkolla, e kombinuar dhe me mësimin në distancë) dhe skenari C është mësimi në distancë apo online.

Sa u përket institucioneve të arsimit të lartë, mësimi mund të zhvillohet me prani fizike, me kusht që grupet mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50 për qind të hapësirës.

Bizneset e gastronomisë do t mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri më 21:00.

Muzika në këto biznese do të lejohet deri në orën 20:30.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar të enjten, 20 janar, një rekord prej 2,708 rasteve të reja me koronavirus.

Raste aktive janë 9,771.

Shtuar 21.01.2022 14:56