“Kosova është zemra e Serbisë”, Djokovic nuk i ndal provokimet edhe në “French Open”: A do të dënohet për mesazhet politike?

Tenisti serb Novak Djokovic ka ndezur edhe njëherë polemika me qëndrimet e tij për Kosovën.

Sportisti dha një mesazh në ndeshjen e tij të parë në French Open, duke shkruar direkt në objektivin e kamerës “Kosova është zemra e Serbisë. Ndaloni dhunën”.

Tenisti nuk u tërhoq as në deklaratat pas ndeshje, duke përsëritur me ngulm se “Kosova është zemra e Serbisë”, teksa nuk dihet nëse nga organizatorët do të merren masa për këtë mesazh politik.

Djokovic , babai i të cilit ka lindur në Kosovë, u tha gazetarëve serbë: “Unë nuk jam politikan dhe as nuk kam ndërmend të hyj në debate. Si serb më dhemb kjo që po ndodh në Kosovë. Njerëzit tanë janë dëbuar nga komunat. Kjo është më e pakta që mund të bëj. Si personazh publik e ndjej obligim që të mbështes popullin tonë dhe gjithë Serbinë.”

“Kam dëgjuar se ka pasur shumë kritika në rrjetet sociale. Nuk e di nëse dikush do të më dënojë apo diçka të tillë, por do ta bëja përsëri. Unë jam kundër luftërave dhe konflikteve të çdo lloji. Kosova është zemra jonë, fortesë, qendra e ngjarjeve më të rëndësishme, atje është bërë beteja më e madhe, shumica e manastireve. Ka shumë arsye pse e kam shkruar këtë”, shtoi ai.

Me mesazhin e tij provokues, të shkruar në kamerën që po e xhironte lojën, tenisti serb doli kundër statutit etik të Federatës Franceze të Tenisit dhe me këtë rast mund të sanksionohet për këtë veprim.

Pas ngjarjes ka reaguar edhe Federata e Tenisit e Kosovës. Kjo Federatë ka bërë të ditur se do të kërkojë dënimin e Djokovicit nga ana Federatës Ndërkombëtare të Tenisit dhe organizatorit “Roland Garros”.

 

 


Shtuar 30.05.2023 12:04