Nga Alex Kliment “GZeromedia”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Ka shumë pak vende në botë ku një mosmarrëveshje mbi targat mund të kërcënojë të shkaktojë një luftë, dhe qyteti i Mitrovicës, në veri të Kosovës, është njëri prej tyre. Qyteti ndodhet në Kosovën me shumicë shqiptare. Por shumica e banorëve të tij janë serbë etnikë, të cilën nuk e njohin fare qeverinë e Kosovës.
Aty ka organe qeveritare si të Serbisë po ashtu edhe të Kosovës, të cilat ndonjëherë punojnë në të njëjtat godina. Askush nuk e di se kush është në të vërtetë në krye, por të gjithë e kanë hamendësime se kush duhet të jetë. Harresa e vendeve si Mitrovica është në fakt puna e papërfunduar e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, e cila ndodhi 15 vjet.
Por pse është ende kaq e vështirë për Kosovën dhe Serbinë që pas gjithë këtyre viteve të normalizojnë marrëdhëniet midis tyre, duke lënë pas të shkuarën? Së pari, serbët që janë thuajse të gjithë të krishterë ortodoksë, e konsiderojnë Kosovën vendin e tyre historik dhe shpirtëror.
Por për qindra vite kjo zonë ka qenë e banuar kryesisht nga shqiptarë myslimanë. Në vitet 1980, tensionet serbo-shqiptare u ndezën, ndërsa Jugosllavia më e gjerë u nda përgjatë vijave etnike. Në vitin 1989, presidenti serb Slobodan Miloshevic ngjalli nacionalizmin serb mbi Kosovën, ndërsa e anuloi autonominë politike dhe kulturore të krahinës.
Një kryengritje e armatosur nga shqiptarët e Kosovës në fundin e viteve 1990, shkaktoi një kundërpërgjigje brutale të serbëve, duke e nxitur NATO-n të bombardonte Beogradin në vitin 1999 për të ndaluar përpjekjet e Milosevic për një spastrim etnik të rajot.
Pasi jetoi për disa vite nën mbrojtjen e OKB-së dhe NATO-s, Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë në vitin 2008, me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së. Por Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, refuzoi që ta njohë atë akt. Si është sot situata pas 15 vitesh?
Kosova është një shtet de fakto i pavarur, por nuk ka përfaqësim në organizmat ndërkombëtare si OKB-ja. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e njohin pavarësinë e saj, por
jo shumica e Amerikës Latine, Afrikës Sub-Sahariane dhe Azisë. Ndërkohë, mijëra trupa të NATO-s janë ende në terren për të mbrojtur afro 2 milionë banorët e Kosovës.
Bisedimet për normalizimin e raporteve midis tyre, të mbështetura nga BE-ja kanë
vazhduar për më shumë se një dekadë. Por pavarësisht ambicieve të të dyja vendeve për t’u anëtarësuar në union, ka pasur pak përparim dhe ekspertët thonë se gjërat në këtë aspekt nuk po përmirësohen.
“Ka thjesht zero besim tek pala tjetër dhe armiqësi aktive nga të dyja palët”- thotë Marko Prelec, një ekspert mbi Ballkanit në organizatën “Crisis Group”. Pjesa më e madhe e këtij tensioni përqendrohet në Mitrovicë dhe zona të tjera të Kosovës veriore, ku minoriteti lokal serb po përdor shkollat dhe spitalet e drejtuara nga Beogradi dhe po kundërshton përpjekjet e Prishtinës për të imponuar autoritetin e saj.
Vitin e kaluar, përpjekja e ngathët e Kosovës për të vendosur një kontroll më të drejtpërdrejtë mbi rajonin shkaktoi një mosmarrëveshje të fortë mbi policinë dhe madje edhe mbi përdorimin e targave të lëshuara nga Kosova. Rrugët u bllokuan nga barrikadat ngjitën lart, dhe pati për disa javë përplasje të dhunshme.
Në një jehonë rrëqethëse të viteve 1990, Beogradi kërcënoi në një moment se do të dërgonte trupat e saj ushtarake përtej kufirit. A ka tani një plan për paqe? Një përmbledhje e një projekt-marrëveshje e zbuluar kohët e fundit në media dhe e mbështetur nga SHBA-ja dhe BE-ja, përqendrohet në njohjen reciproke të kufirit, në anëtarësimin e Kosovës në OKB
dhe në garantimin nga Kosova të një lloj autonomie zyrtare për pakicat serbe në vend.
Asnjëra palë nuk detyrohet të “njohë” zyrtarisht palën tjetër si shtet. Duket si një marrëveshje deri diku e drejtë, e përse të mos funksionojë? Së pari problem mund të jetë çështja e personalitetit të udhëheqësve të të dyja vendeve.
Presidenti serb Aleksandar Vucic dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, janë që të dy nacionalistë kokëfortë që e përçmojnë njëri-tjetrin. Kohët e fundit presidenti serb e quajti “terrorist” Kurtin, që iu bashkua lëvizjes për pavarësi që në vitet 1990.
Por problemi kryesor është se kush duhet të bëjë dhe çfarë i pari. Serbia thotë se tashmë Kosova është e përkushtuar t’i japë autonomi serbëve të Kosovës sipas një marrëveshjeje kornizë të 10 viteve më parë. Nga ana e tyre kosovarët thonë “se nuk do të bëjnë asgjë” të tillë derisa Serbia të ndalojë së bllokuari të drejtën e tyre për një vend në OKB.
“Të dyja palët supozojnë në mënyrë të arsyeshme se tjetra do të përpiqet që t’i mashtrojë pavarësisht çfarëdolloj dokumenti që nënshkruajnë. Ndaj që të dyja këmbëngulin të marrin përpara atë që duan, dhe kjo është një qasje problematike”- shton Prelec.
Me mbështetjen e SHBA-së, Bashkimi Evropian dëshiron të shohë një zgjidhje për problemin. Tek e fundit gjëja e fundit që dëshiron Brukseli është një tjetër luftë e shëmtuar në pragun e tij. Por me një të kaluarën shumë të hidhur dhe me kaq pak besim mes palëve, 15 vjet janë ende shumë pak kohë për të arritur një paqe të qëndrueshme. “Këtu luan një rol historia, dhe ajo është në fakt shumë e re”- përfundon Prelec. /albeu.com