Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, ka shprehur me ironi qëndrimin e tij ndaj projektit të qeverisë për zgjerimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në institucione.
Sipas tij, në zonat rurale shumë njerëz ende nuk kanë aftësi për të përdorur mjetet teknologjike. Korreshi shtoi se qendrat shëndetësore nuk disponojnë as energji elektrike, ndaj është e vështirë të imagjinohet funksionimi i një sistemi online për prenotimin e vizitave.
Të lidhura
None found
“Në fshat vazhdojmë të punojmë me parmendë, ndërsa ju këtë e quani inteligjencë artificiale. Në qendrat shëndetësore nuk ka as poç dhe energjia elektrike nuk ka mbërritur. Si do të hyjë infermierja apo doktoresha në këto qendra në sistemin tuaj? Me çfarë mrrokulle do të futen?”
Ai ironizoi edhe mënyrën se si, sipas tij, do të mund të realizohej regjistrimi i pacientëve përmes teknologjisë. “Ajo do të thotë: ‘Do të dal në pazar, do të gjej një kamerë me këtë inteligjencën artificiale dhe, sipas listës së moshës, do të regjistroj, por si do të marr kodin për një vizitë te okulisti, për veshkat apo te kardiologu?’ Kjo është inteligjenca juaj artificiale?”
Korreshi përmendi edhe projektin me Diellën, vendosjen e kamerave në shkolla dhe nismën “Smart City”, duke vënë në dyshim funksionimin e sistemeve teknologjike. “E nisët me Diellën, morët disa lekë dhe aktorja tha: ‘Ma hiqni surratin, se më morët më qafë’. Kjo është situata. Më pas thoni se do të vendosni kamera nëpër shkolla, kamera këtu e atje. A i keni parë ndonjëherë si funksionojnë sot sistemet? Shkoni te Kadastra: për 3 muaj ASHK-ja nuk punoi, sepse nuk funksiononte mrrokulla. Mrrokullat i morëm nga Lushnja në kurriz dhe i çuam në Fier.
Ai shtoi se pajisjet e vendosura në rrugë mund të dëmtohen nga kafshët, ndërsa kundërshtoi mbledhjen e të dhënave për fëmijët. “Keni sahatët në rrugë, por i shkel lopa dhe i ha gomari, ndërsa ju e quani Smart City. Mos na merrni edhe të dhënat e kalamajve, sepse nuk ka patronazhistë tuaj që të mos dinë edhe numrin e këmbës, nëse kemi çorape të grisura apo jo dhe nëse i kemi prerë thonjtë,” u shpreh ai me ironi.
