Koreja Veriore ka lëshuar një raketë mbi Japoni, në atë që shihet si përshkallëzim i qëllimshëm për të marrë vëmendjen e Tokios dhe Uashingtonit.
Raketa balistike ka udhëtuar rreth 4.500 kilometra, para se të binte në Oqeanin Paqësor.
Kjo largësi është e mjaftueshme për të qëlluar rajonin amerikan, Guam, nëse raketa do të merrte trajektore tjetër.
Kjo është hera e parë, prej vitit 2017, që një raketë verikoreane udhëton mbi Japoni.
Lëshimi i raketës ka detyruar Japoninë të lëshojë alarm për disa qytetarë që të strehohen.
Kombet e Bashkuara ia ndalojnë Koresë Veriore testimin e raketave balistike dhe atyre bërthamore.
Lëshimi i raketave drejt apo mbi një shtet, pa paralajmërim apo konsultim, po ashtu bie ndesh me normat ndërkombëtare.
Shumë shtete shmangin veprime të tilla testimi, pasi ato lehtë mund të duken si sulme.
Ndonëse verikoreanët nuk kanë kryer test bërthamor – çka mund të ndodhë në të ardhmen – veprimi i fundit mund të konsiderohet tejet provokativ.
Njerëzit në veri të Japonisë, përfshirë ishullin Hokaido, është raportuar të jenë zgjuar nga zhurma e sirenave dhe thirrja: “Koreja Veriore duket se ka lëshuar raketë. Ju lutem evakuohuni në ndërtesa apo hapësira nëntokësore”.
Meqë raketa është lëshuar mbi kokat e tyre, ata janë paralajmëruar se mund t’ju bien mbetjet e raketës.
Zyrtarët më pas kanë thënë se raketa me rreze të mesme ka rënë në Oqeanin Paqësor, larg nga Japonia, dhe nuk është raportuar për të lënduar.
Raketa e ka kryer udhëtimin me distancën më të gjatë që ka kryer ndonjëherë një pajisje e tillë verikoreane, dhe ka arritur lartësinë e rreth 1.000 kilometrave – më lart sesa Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida, e ka përshkruar këtë lëshim rakete si “sjellje të dhunshme”, derisa ministri i Mbrojtjes, Yasukazu Hamada, ka thënë se Japonia nuk e përjashton mundësinë e forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes përfshirë “kundërsulmin”.
Zëdhënësja e Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, Adrienne Watson, e ka konsideruar vendimin “të rrezikshëm” dhe i cili është duke “destabilizuar” rajonin.
Ky lansim i raketës vjen teksa Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Jugore janë duke punuar për të forcuar mbrojtjen, pas kërcënimit që rritet nga Koreja Veriore.
Javën e kaluar, të tria shtete kanë kryer stërvitje detare, të cilat e kanë zemëruar liderin verikorean, Kim Jong-un.
Ai i sheh të tria shtetet si armike që po përgatiten për luftë.
Pas stërvitjeve të ngjashme të vitit 2017, Koreja Veriore pati lëshuar raketë mbi Japoni, si kundërpërgjigje.
Një javë më vonë, pati kryer test bërthamor.
Inteligjenca e fundit ka sugjeruar se Koreja Veriore është duke u përgatitur për një tjetër test bërthamor.
Shumë ekspertë besojnë se diçka e tillë mund të ndodhë pasi Kina – aleate kyçe e Koresë Veriore – të mbajë Kongresin e Partisë Komuniste më vonë gjatë këtij muaji.
Lansimi i raketës të martën është i pesti që është kryer nga Pheniani brenda një jave.
Të shtunën, dy raketa kanë rënë në ujërat jashtë zonës ekonomike të Japonisë.
Shumë prej testimeve të Koresë Veriore kryhen në lartësi të mëdha, për të shmangur fluturimet mbi territoret e vendeve fqinje.
Testime të tilla kanë kontribuuar në rritje të tensioneve mes Koresë Veriore dhe Japonisë, që kanë rrënjët në kolonizimin e Koresë nga viti 1910 deri më 1945, si dhe rrëmbimin e qytetarëve japonezë nga verikoreanët, në të kaluarën.
Më herët gjatë këtij muaji, Koreja Veriore ka miratuar ligjin për shpallje të vetes si shtet me armë bërthamore.
Lideri i shtetit, Kim Jong-un, ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje.
Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën 2006-2017, pavarësisht sanksioneve.
Ky shtet në lindje të Azisë dënon vazhdimisht sanksionet dhe deklaron se sistemi bërthamor i duhet për qëllime të mbrojtjes./REL/