Kontrollet e policisë rrugore gjatë fundjavës, arrestohen 24 shoferë

24 drejtues mjetesh janë arrestuar në gjithë vendin gjatë 72 orëve të fundit. 12 prej tyre janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 4 për pëfshirje në ngjarje

Ndërkohë, janë pezulluar 93 leje drejtimi, 16 prej tyre për drejtim mjeti në efektin e alkoolit, 73 për drejtim mjeti me shpejtësi mbi normën e lejuar dhe 4 për shkelje të tjera.

Njoftimi:

Me qëllim marrjen e masave shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit iu ka kërkuar strukturave të Policisë Rrugore në të gjithë vendin, që të hartojnë plane të detajuara masash, bazuar në analizat e shkaqeve për aksidentet e ndodhura në të gjithë vendin, si dhe mbi analizat e riskut për “njollat e zeza” për përfshirje në ngjarje rrugore. Masat të konsistojnë në: – rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë Rrugore, në akset rrugore nacionale, duke përdorur makinat inteligjente dhe të gjithë bazën logjistike që Policia Rrugore ka në dispozicion, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara, kryejnë parakalime të gabuara, përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe nuk vendosin rripin e sigurimit;

– koordinimin e veprimeve me shërbimet e Patrullave të Përgjithshme dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në të gjitha rrugët urbane, për respektimin e vijave të bardha dhe të gjithë sinjalistikës rrugore, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore.

Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar që strukturat e Policisë Rrugore në të gjithë vendin, paralelisht me zbatimin e masave shtesë, të zhvillojnë edhe fushata ndërgjegjësimi, duke bërë pjesë nxënësit e shkollave, me qëllim sensibilizimin e përdoruesve të rrugës për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor.

Gjatë 72 orëve, në të gjithë vendin:

-janë arrestuar 24 drejtues mjetesh, 12 prej tyre për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 4 për pëfshirje në ngjarje;

-janë pezulluar 93 leje drejtimi, 16 prej tyre për drejtim mjeti në efektin e alkoolit, 73 për drejtim mjeti me shpejtësi mbi normën e lejuar dhe 4 për shkelje të tjera;

-janë ndëshkuar me masa administrative 19 961 drejtues mjetesh, kryesisht për parakalime të gabuara, shpejtësi mbi normat e lejuara, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit dhe mosvendosjen e rripit të sigurimit apo të kaskës mbrojtëse.

Policia e Shtetit apelon për përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të kallëzojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së tyre.

 


Shtuar 4.12.2023 12:20