Kontrolle gjatë fundjavës në Elbasan, 7 shoferë të arrestuar, 15 patenta të pezulluara dhe mbi 1 mijë gjoba

Policia Rrugore ka rritur prezencën e saj në të gjitha akset rrugore interurbane, urbane dhe rurale, për të evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Kontrollet janë përqendruar në shpejtësisë tej normave të lejuara, drejtimin e automjeteve nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, drejtimin e motoçikletave pa leje drejtimi dhe pa kaskë mbrojtëse, mospërdorimin e rripit të sigurimit, përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit, parakalimet e gabuara, mosrespektimin e përparësisë dhe të sinjalizimit rrugor, sjelljet jokorrekte në rrethrrotullime, si dhe në shkelje të tjera që janë burim aksidenti.

Gjatë kontrolleve, në fundjavë, janë arrestuar në kushtet e flagrancës 7 drejtues mjetesh, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, në vende të ndryshme, duke drejtuar mjetet, në gjendje të dehur. Njëri nga të arrestuarit ka qenë edhe i papajisur me leje drejtimi.

Po si rezultat i kontrolleve janë pezulluar 15 leje drejtimi. Gjithashtu janë vendosur 1066 masa administrative, nga këto:

42 për mospërdorim të rripit të sigurimit;

31 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;

993 masa të tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjitha akset rrugore të qarkut Elbasan, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia Rrugore e Elbasanit apelon për gjithë drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.


Shtuar 6.12.2021 13:34