Konflikti Pacolli–Ademi paralizon Aeroportin e Vlorës: Përplasja zhvendoset te Duty Free

Përplasja mes biznesmenëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi për kontrollin e Aeroportit të Vlorës ka tejkaluar kufijtë e një mosmarrëveshjeje aksionere dhe po shndërrohet në një konflikt të hapur që po bllokon funksionimin e një investimi strategjik për ekonominë dhe turizmin shqiptar.

Situata është përshkallëzuar pas një reagimi publik të shoqërisë MABCO Construction SA, e cila ka akuzuar administratorin aktual të Vlora International Airport se po lidh marrëveshje për dyqanet Duty Free dhe shërbime të tjera tregtare pa pasur autoritet ligjor. Sipas MABCO-s, që pretendon se zotëron 98 për qind të kapitalit të shoqërisë koncesionare, çdo kontratë e tillë është juridikisht e pavlefshme dhe e destinuar të rrëzohet në gjykatë, transmeton Albeu.com.

Në thelb të konfliktit qëndron beteja për aksionet dhe kontrollin e koncesionit. Valon Ademi pretendon se, mbi bazën e një marrëveshjeje dhe kontrate noteriale, zotëron 47 për qind të aksioneve, si rezultat i investimeve të kryera për ndërtimin e aeroportit. Ky pretendim kundërshtohet nga Behgjet Pacolli, i cili deklaron se nuk ka pranuar asnjë ndryshim në strukturën e pronësisë dhe se çdo veprim i ndërmarrë pa pëlqimin e aksionarit mazhoritar është i pavlefshëm.

Por përtej betejës ligjore dhe financiare, konflikti po prodhon pasoja konkrete në terren. Aeroporti i Vlorës, i konsideruar një nyje kyçe për zhvillimin e turizmit në jug të vendit, mbetet i bllokuar, ndërkohë që hapja e tij ishte paralajmëruar brenda një muaji. Çdo vonesë po rrezikon seriozisht sezonin turistik dhe po cenon drejtpërdrejt interesin publik.

Burime pranë çështjes pohojnë se raportet mes dy ortakëve kanë qenë të tensionuara edhe më herët, për shkak të “golave” të ndërsjellë në biznese të tjera, por përplasja aktuale ka marrë dimensione të reja dhe më shqetësuese.

Për herë të parë, në akuzat publike mes palëve janë përmendur edhe dyshime mbi përfshirjen e interesave ruse në këtë projekt, një element që e zhvendos konfliktin nga një çështje private në një problem me ndjeshmëri strategjike.

Në këtë kontekst, përplasja mes Pacollit dhe Ademit nuk shihet më thjesht si një betejë mes ortakësh, por si një faktor destabilizues për një investim të rëndësishëm kombëtar. Në mungesë të një ndërhyrjeje të shpejtë institucionale, ku shteti të marrë përgjegjësinë e vet, Aeroporti i Vlorës rrezikon të mbetet peng i interesave private të Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit, me kosto të drejtpërdrejta për turizmin, ekonominë dhe sigurinë e vendit. /albeu.com/


Shtuar 5.02.2026 10:04