Konfiskohet 40 tonë mish: Po mbrojmë konsumatorin

Gjatë këtij viti Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV) ka asgjësuar rreth 40 tonë mish. Vetëm në një rast janë asgjësuar rreth 38 tonë mish, ka konfirmuar për EO, zëdhënësi i këtij institucioni Lamir Thaçi.

Ai ka sqaruar se ky aksion është bërë i mundur falë kontrolleve të bashkërenduara me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit.

Ai ka shtuar se inspektori menjëherë ka nxjerrë vendim për konfiskim dhe asgjësim të gjithë sasisë që është gjetur.

“Në bazë të ligjeve në fuqi inspektori menjëherë ka nxjerrë vendim për konfiskim dhe asgjësim të gjithë sasisë që është gjetur në këtë depo ftohëse dhe organet e tjera sigurisht kanë arrestuar personat përgjegjës dhe do të dërgohet fletëparaqitje për gjykatë dhe pastaj gjykata është ajo që vendos për masën ndëshkimore ndaj operatorit të biznesit”, ka thënë Thaçi.

Ai ka paralajmëruar masa ndaj atyre që nuk e respektojnë ligjin dhe rregulloret në fuqi, por edhe aksione të tjera me synim mbrojtjen e konsumatorëve,

“Në këtë fillim vit rasti që është paraqitur ka qenë në regjionin e Pejës por nuk do të thotë që nuk do të ketë raste edhe në vende të tjera. Nuk mund të paragjykojmë se vetëm një regjion ka probleme por kudo që hasen ato inspektorët do të jenë pa kompromis ndaj secilit rast që ka dyshime të bazuara që është duke u vendosur ndonjë produkt ushqimor në treg i cili nuk i plotëson kushtet. Ne jemi të obliguar, kemi mandatin ligjor dhe jemi të thirrur për të kryer detyrat zyrtare dhe këtë do ta bëjmë që t’i mbrojmë konsumatorët”.

“… ata duhet të ndihen të sigurt sepse po shohin punën tonë çdo ditë, aktivitetet në teren që ne punojmë, por derisa fusha e kontrollit ushqimorë është fushë komplekse ne kërkojmë bashkëpunim nga të gjithë konsumatorët, bizneset secili që mund të kontribuojë duhet të kontribuojë sepse shëndeti publik është interes nacional dhe ne duhet që të gjithë të punojmë bashkërisht që ta ruajmë shëndetin publik”, ka përfunduar zëdhënësi i AUV-it.

Shtuar 29.03.2022 09:43