Konfirmohet varianti i ri i koronavirusit në Shqipëri, quhet Ba2 Omicron

Nënvarianti Ba2 i Omicron është konfirmuar edhe në vendin tonë. Në Institutin e Shëndetit Publik kanë mbërritur përgjigjet e analizave nga laboratori i Berlinit, i cili ka identifikuar rastet e para me mutacion Ba2 edhe në Shqipëri.

Burime për A2 CNN bëjnë me dije se mes shumë mostrave të dyshuara dhe të dërguara në Gjermani, disa raste kanë rezultuar pozitive me Ba2 dhe pjesa tjetër me Omicron.

Prej disa javësh tashmë, specialistët kishin dyshime për qarkullimin e një varianti tjetër të koronavirusit, edhe më të transmetueshëm se Omicron, pasi ditët e fundit infektimet filluan sërish të rriten ndjeshëm.

Ende nuk dihet se si po kalohet ky variant nga personat që kanë rezultuar pozitiv me Ba2, por ekspertët janë të bindur se vaksinimi me dy dhe tre doza ndihmon për ta kaluar më lehtë sëmundjen.

Me zbehjen e valës Omicron, interesi për vaksinën anti-covid ra ndjeshëm, ndërsa të rinjtë vijojnë të jenë kategoria më refuzuese e vaksinës.

Mirpo, ndryshe nga Omicron, nënvarinati i tij Ba2 është shumë më ngjitës dhe përhapet më shpejt. Thuajse e gjithë Europa ka rritje të rasteve nga ky mutacion, i cili ka shenja të ngjashme me Omicronin por sipas specialistëve kalohet rëndë nga personat që nuk janë vaksinuar.