Konfirmohet një fermë me murtajë në Bulqizë, asgjësohen 220 krerë dhi/ Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë: Nuk ka rrezik për njerëzit

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka njoftuar se në një fermë ne dhi në Bulqizë, është zbuluar sëmundja e rrezikshme për kafshët, murtaja.

Sipas AKVMB, rasti është zbuluar që në datë 30 mars, në fshatin Okshatinë, Njësia Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë. Pas marrjes së mostrave, u konfirmua prania e virusit të rrezikshëm.

Të lidhura

None found

Në njoftim shkruahet se në fermën e prekur u realizua eliminimi dhe asgjësimi i të gjitha kafshëve të mbetura, si dhe dezinfektimi i plotë i ambienteve dhe pajisjeve.

Po ashtu theksohet se murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR) nuk është sëmundje zoonotike dhe nuk transmetohet tek njerëzit, teksa nuk përbën asnjë rrezik për shëndetin publik.

Njoftimi i Autoritetit Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve:

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve njofton se është konfirmuar një rast i izoluar i Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Rasti është evidentuar më datë 30.03.2026 në një fermë të mbarështimit të kaprinëve (dhi)e një total prej 220 krerë, në fshatin Okshatinë, Njësia Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë. Mostrat e marra në terren nga Shërbimi Veterinar janë analizuar në laboratorin referencë të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, i cili ka konfirmuar praninë e virusit PPR.

Menjëherë pas konfirmimit të rastit, strukturat veterinare kanë ndërhyrë në terren duke zbatuar të gjitha masat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi dhe në Planin Kombëtar të Kontigjencës për PPR. U krye hetimi epidemiologjik dhe u përcaktuan zonat e sigurisë, përkatësisht, që përfshijnë territorin e bashkive Bulqizë dhe Dibër.

Në fermën e prekur u realizua eliminimi dhe asgjësimi i të gjitha kafshëve të mbetura, si dhe dezinfektimi i plotë i ambienteve dhe pajisjeve. Ferma u vendos në karantinë të plotë, duke ndaluar çdo lëvizje të kafshëve dhe personave dhe duke zbatuar masa të rrepta të biosigurisë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

Paralelisht, Shërbimi Veterinar ka vijuar monitorimin intensiv të fermave në zonat përreth, duke forcuar kontrollet në terren dhe duke zhvilluar takime informuese me fermerët për rëndësinë e zbatimit të masave parandaluese. Janë njoftuar gjithashtu institucionet përkatëse vendore dhe është siguruar e gjithë logjistika e nevojshme për menaxhimin e situatës. Nga monitorimi i kryer në zonën e mbrojtur dhe atë të mbikëqyrjes, që prej datës 31.03.2026, nuk janë evidentuar raste të tjera të dyshuara apo shenja klinike që lidhen me këtë sëmundje.

Udhëzime për fermerët dhe mbarështuesit

AKVMB u bën thirrje të gjithë mbarështuesve të kafshëve të imta (dele dhe dhi) të zbatojnë me rigorozitet masat e biosigurisë dhe të kufizojnë lëvizjen e kafshëve brenda dhe jashtë fermave. Në çdo rast të shfaqjes së simptomave të dyshimta, si temperaturë e lartë, rrjedhje nazale, inflamacion i syve, ulje e oreksit, diarre apo ngordhje e papritur, duhet të njoftohet menjëherë Shërbimi Veterinar Rajonal përkatës ose të kontaktohet numri i gjelbër falas.

Sqarim për publikun

Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR) nuk është sëmundje zoonotike dhe nuk transmetohet tek njerëzit. Si e tillë, ajo nuk përbën asnjë rrezik për shëndetin publik. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vijojë ndjekjen e situatës me seriozitet të plotë dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme për çdo zhvillim.


Shtuar 15.04.2026 16:35