Konfirmohet në detyrë Kancelarja e SPAK, pezullohet procedimi disiplinor për një prokuror; ja vendimet e mbledhjes së sotme të KLP-së

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që në mbledhjen e sotme të konfirmojë në detyrë zonjën Laureta Binaj, Kancelare në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Gjithashtu, në mbledhjen e sotme Qeveria e Prokurorëve ka miratuar pezullimin e procedimit disiplinor të ardhur me kërkesë të ILD- së ndaj magjistratit E.A, me detyrë prokuror, në kohën e kryerjes së shkeljes së pretenduar, deri në përfundimin e procedurës së rivlerësimit kalimtar, me vendim të formës së prerë nga organi kompetent Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Të lidhura

None found

Ndërkohë, për prokurorin tjetër A.K, Këshilli vendosi vijimin e procedurës për rishqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD). Seanca dëgjimore për shqyrtimin e kësaj çështjeje u caktua për ditën e hënë, datë 08.06.2026, në orën 10:00.

Gjatë seancës së sotme, Këshilli miratoi programin buxhetor afatmesëm të Këshilli të Lartë të Prokurorisë (KLP) për periudhën 2027-2029 dhe të pranishëm kanë qenë veç anëtarëve, përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë dhe misionit OPDAT.

Me propozim të Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit, u miratuan kërkesat për ushtrimin e veprimtarive jashtë funksionit, të paraqitura nga tre prokurorë, konkretisht nga znj. Olta Hadushaj, znj. Ema Lazaj dhe z. Gëzim Spahiu.

Në përfundim, Këshilli vendosi të tërheqë relacionin e përgatitur për vlerësimin etik dhe profesional të prokurores Dhorina Theodhori, me qëllim vijimin e verifikimeve.


Shtuar 8.05.2026 16:20

Tags: ,