“Konferencën për shtyp njëherë tjetër”/ Pas më shumë se 1 ore, Lulzim Basha del nga SPAK: Duhet të ruaj sekretin hetimor

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë nga SPAK, pas më shumë se 1 orë. Pas daljes nga ambientet e SPAK, Basha foli shkurt përpara gazetarëve, duke theksuar se për momentin nuk mund të japë detaje për shkak të hetimeve që po zhvillohen. Basha tha gjithashtu para gazetarëve konferencë për shtyp do të mbajë njëherë tjetër.

“Duhet të ruaj sekretin hetimor, një herë tjetër do të kem konferencë për shtyp”, është shprehur Basha shkurtimisht për mediat.

Ish-kreu i PD-së është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për hetimet që lidhen me ngjarjen e 21 janarit 2011, kur mbante detyrën e ministrit të Brendshëm.

Çfarë ndodhi më 21 janar?

Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm.

Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Por një publikim i ri ka dalë në dritë 12 vite pas ngjarjes. Gazetari Artan Hoxha publikoi audiopërgjimet e shërbimeve të huaja ku zbardhet urdhëri i marrë për të hapur zjarr ndaj protestuesve.


Shtuar 30.10.2025 17:44