Rektori i Universitetit të Mjekësisë, njëkohësisht shefi i kirurgjisë, Arben Gjata është paraqitur sot në SPAK, si një nga personat e akuzuar për çështjen e koncesionit të sterilizimit.
Në SPAK është paraqitur edhe Genc Byrazeri, i cili ka qenë anëtar i Komisionit të tenderit të sterilizimit.
GJKKO për ta ka caktuar masën ‘detyrim paraqitje’, prandaj siç e përcakton edhe procedura ai duhet të paraqitet në SPAK të premten e parë dhe të premten e fundit të çdo muaji.
Gjata, në kohën kur u lidh koncesioni më dhjetor të vitit 2015 ka pasur detyrën e anëtarit të komisionit të koncesionit të sterilizimit.
Kujtojmë se me urdhër të SPAK për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milion euro janë arrestuar ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, pronari i kompanisë Investital LLC.
Me kërkesë të prokurorit Edvin Kondili, Gjyqtari i GJKKO, Erion Bani, caktoi masa sigurie edhe ndaj 6 personave të tjerë, zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit.
“Arrest shtëpie” u caktua për Saimir Kadiun drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërsa për mjekun Arben
Gjata me detyrë shef Kirurgjie dhe rektor i Universitetit të Mjekësisë, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë. është caktuar masa ‘detyrim me paraqitje’.
Për 6 zyrtarët e mjekësisë veprat penalet të shënuara në dosje nga SPAK, janë ‘falsifikim dokumentesh’ dhe ‘shpërdorim detyre’, ndërsa vetëm për biznesmeni Ilir Rrapaj akuzohet për ‘Mashtrim’.