Koncensionet, gazetari në Scan: Shembujt e mirë dhe të këqinj, çfarë po përfitojnë shqiptarët

Qeveritë shqiptare kanë dhënë qindra kontrata koncensionare apo me PPP gjatë viteve të fundit duke i ngarkuar buxhetit të shtetit një barrë të rendë financiare me këto të fundit.

I ftuar në emisionin “Në Fokus” në Scan TV, gazetari Emirjon Senja listoi një numër të madh koncensionesh dhe kontratash PPP, të cilat sipas tij duhet vlerësuar rast pas rasti në varësi edhe të asaj që kanë përfituar shqiptarët.

I pyetur nga gazetarja Mira Pogaçi në lidhje me kontratat që janë histori suksesi, Senja renditi dy sektorë, ku sipas tij janë shembuj pozitivë. Sipas tij, sektori i parë është ai i koncensioneve në Shëndetësi, si edhe i dyti, ai i prodhimit të energjisë elektrike, siç janë HEC-et private.

Ka dy sektorë të rendësishëm nga të cilat unë do merrja si shembuj suksesi kontrata nga të cilat shqiptarët kanë përfituar shumë dhe buxheti i shtetit ka kursyer para nga fondet publike.

Rasti i parë është shërbimi i dializës, ku është pranuar botërisht tashmë që pacientët marrin një shërbime shumë më të mirë dhe mbi të gjitha, me kosto më të lirë për buxhetin e shtetit.

Më parë, shteti paguante koston e transportit, shoqëruesit si edhe atë të shërbimit për pacientë që vinin nga rrethet e largëta për të bërë dializën në Tiranë, dhe e gjitha kjo kosto shkonte 98 euro për seancë, kurse sot pacientët e marrin shërbimin pranë qytetit të tyre dhe kostoja shkon më ulët, 80 euro”, tha Senja duke u ndalur edhe te HEC-et.

Ne e pamë ndikimin e HEC-eve private gjatë krizës së fundit me energjinë elektrike ku çmimi në bursën Hungareze shkoi mbi 500 euro për megavat, ndërkohë që dimë që më shumë se gjysma e energjisë së prodhuar në vend gjatë vitit të shkuar ka qenë pikërisht nga HEC-et private, të cilave shteti shqiptar ua blen energjinë me çmim preferencial. Ja një rast tjetër suksesi”, tha kryeredaktori i AlbEu.com, ndërsa shtoi se ka shumë kontrata të tjera abusive, siç janë mirëmbajtja e Rrugës së Kombit apo ndërtimi i Rrugës së Arbrit, të cilat marrin shuma kolosale nga buxheti i shtetit duke i kthyer shumë pak qytetarëve. /albeu.com


Shtuar 25.01.2023 15:31