Vazhdojnë debatet në Komisionin Hetimor për nxjerrjen e të dhënave të sistemit TIMS. Ervin Salianji, u shpreh se anëtarët e PS të Komisionit Hetimor, nuk duhet të fshihen si struci.
Ai tha gjithashtu, se nuk ka ndonjë sekret shtetëror në shumë çështje, si prsh në atë nëse drejtori i IT në Policinë e Shtetit, është përdorur apo jo nga grupet kriminale.
Ndërsa, deputeti i PS Xhemal Qefalia, tha se çështje që janë sensitive për sigurinë kombëtare, nuk mund të fliten publikisht.
Xhemal Qefalia: “Disa çështje janë sensitive, që prekin sigurinë kombëtare dhe dëshmitë e tyre duhet të mbahen jo në publik. Infot për sigurinë kombëtare nuk dalin në mexhelis”.
Ervin Salianji: “Mua më duket sikur nuk jeni këtu. E keni vendimmarrjen këtu, mos u fshihni si struci. Nuk bëni një dëshmi publike. Çfarë ka sekret këtu se janë punësuar policë paligjshëm. Çfarë ka sekret shtetëror, ku drejtori i sistemit TIMS mund të jetë përdorur nga grupet kriminale. Duhet transparencë, që në të ardhmen të kenë frikë të bëjnë këto veprime. Të kenë edhe përgjegjësi publike për atë që thonë. Do të mbajnë përgjegjësi një më një, kjo është e sigurt”.