Kolegji i Apelimit konfirmon shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtares Fatmira Hajdari

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka konfirmuar shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtares Fatmira Hajdari, e cila u shkarkua nga vendimi i i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit pasi nuk justifikonte transaksionet me pronat dhe ndërtimin e një pallati 10-katësh pa leje.

Hajdari, ankimoi vendimin e dhënë nga KPK-ja dy vite më parë, por megjithatë nuk ka gjetur mbështetje tek KPA-ja, e cila e ka refuzuar ankesën e saj.

Hajdari, u cilësua po ashtu e papërshtatshme në kriterin e figurës, pasi sipas Komisionit nuk kishte deklaruar revokimin e dy vizave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në formularin për këtë kriter.

Njoftim vendimi:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.39/2020, datë 21.09.2020, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Fatmira Hajdaraj (Hajdari) kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 265, datë 18.06.2020.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 265, datë 18.06.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Fatmira Hajdaraj (Hajdari).
2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall, në Tiranë, më datë 24.10.2022.

Fatmira Hajdari, e cila është e veja e Azem Hajdarit deputetit dhe njërit prej drejtuesve të lëvizjes së dhjetorit kundër diktaturës në vitet 90’ i vrarë në vitit 1998. Ajo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës.


Shtuar 24.10.2022 18:47