SPAK dhe Policia po hetojnë lidhjet kriminale të personave të arrestuar disa ditë pas zbulimit të laboratorit të drogës në Fier ku u sekuestrua 430 kilogramë kokainë.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po kryhen verifikime lidhur me persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan gazetari Eni Ferhati është shprehur se në operacionin “Konsistenca” që çoi pas prangave 10 persona kanë pasur dijeni 60 veta.
Ferhati theksoi se për këtë operacion janë përdorur metoda speciale hetimi si dhe janë kryer shumë përgjime ambientale.
Eni Ferhati: Informacioni fillestar është dhënë nga DEA amerikane, ia ka dhënë palës malazeze fillimisht e cila më pas ka vënë në dijeni homologët shqiptarë. Është një operacion për t’u vlerësuar sepse janë 60 veta që kanë pasur dijeni. Për 3 muaj e gjysmë janë kryer vëzhgimet e forcave operacionale kryesisht dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Nuk është dekonspiruar në asnjë moment. Bëhet fjalë për një vëzhgim 24 orë në 24. Si asnjëherë më parë, përgjimet janë ambientale dhe janë përdorur metoda të cilat nuk besoj të jenë përdorur kaq shumë në operacione të tjera. Janë vendosur përgjime në shumë automjete, në shumë banesa. Janë përdoruar metoda të tjera dhe me dronë.
Është ndërhyrë herët për shkak se nga hetimet ka rezultuar se në mjetin luksoz “Range Rover” ku udhëtonin Klajdi Kodra dhe Bledar Matoshi të cilët janë në rolin e organizatorëve sipas Prokurorisë së Posaçme lidhur me shoqërimin e mallit, gjetjen e strehimit, bazave ku do të bëhej dhe filtrimi nga plehu organik artificial i sasisë prej 430 kilogramëve kokainë. Në përgjimet del se ishin lajmëruar anëtarët e këtij grupi që të armatoseshin dhe të udhëtonin drejt Burrelit ose drejt Dibrës ku sipas burimeve ka pasur dhe kontradikta mes grupeve për një sasi kokainë që do të merrej nga filtrimi i 24 tonëve pleh organik./tvklan.al