“Koha për tu përgatitur” Ekspertët: Gripi vdekjeprurës i shpendëve është potencialisht afër pandemisë së ardhshme

Gripi i shpendëve është rrezikisht afër për të shkaktuar pandeminë e ardhshme njerëzore, kanë paralajmëruar ekspertët. Shkencëtarët ngritën shqetësime pasi një person në SHBA e kapi sëmundjen nga një lopë, duke sugjeruar se H5N1 shumë patogjenik po bëhet më i mirë në përhapje.

Rasti i ri, i zbuluar në Teksas, nxiti një konferencë urgjente ku morën pjesë studiues të gripit të shpendëve, mjekë dhe zyrtarë nga agjencitë qeveritare. Dr. Suresh Kuchipudi, një studiues i gripit të shpendëve në Pittsburgh, paralajmëroi se ky virus ka qenë në krye të listës së pandemisë për shumë, shumë vite dhe ndoshta dekada.

“Dhe tani po afrohemi rrezikshëm me këtë virus që mund të shkaktojë një pandemi. Është vërtet koha që të jemi të përgatitur”, tha Kuchipudi.

Por eksperti në Mbretërinë e Bashkuar, Prof. James Wood, nga Universiteti i Kembrixhit sugjeroi, megjithatë, se ky rast në vetvete nuk është shkak për shqetësim.

“Zbulimi i një rasti të vetëm njerëzor në SHBA nuk tregon se virusi do të bëhet një pandemi njerëzore. Ka pasur një shkallë të madhe të ekspozimit njerëzor me këtë grup virusesh gjatë tri viteve të fundit dhe ajo që është e veçantë është se janë zbuluar kaq pak raste njerëzore,” tha ai.

Paralajmërimi vjen pasi mijëra pinguinë të ngordhur janë zbuluar në Antarktidë, të cilët mendohet se janë vrarë nga gripi i shpendëve. Ndërkohë vitet e fundit, H5N1 ka vrarë miliona zogj të egër dhe shpendë në mbarë botën. Ai gjithashtu ka filluar të kërcejë te kafshët e tjera, duke përfshirë macet, arinjtë, dhelprat, luanët e detit.

Lopët u shtuan në listën gjithnjë në rritje javën e kaluar kur SHBA raportoi infeksione H5N1 në tufat e qumështit. Që atëherë, rastet janë konfirmuar ose janë nën hetim në pesë shtete Teksas, Kansas, Michigan, New Mexico dhe Idaho. Ndryshe, vë në pah The Sun, për tu bërë një pandemi, një virus duhet të jetë në gjendje të infektojë lehtësisht njerëzit ose kafshët dhe të përhapet midis tyre.

Dhe deri më tani, nuk ka asnjë provë se gripi i shpendëve mund të transmetohet mes njerëzve. Megjithatë, ekspertët kanë frikë se shkalla e madhe e përhapjes aktuale mund t’i japë virusit më shumë mundësi për të evoluar, duke mundësuar që H5N1 të përhapet më mirë midis gjitarëve dhe potencialisht njerëzve.

Gjithashtu hulumtimet tregojnë se shkalla e vdekshmërisë tek njerëzit që preken nga gripi i shpendëve mund të jetë deri në 60 për qind. Të paktën 887 njerëz janë infektuar me gripin e shpendëve në 20 vitet e fundit dhe 462 prej tyre kanë vdekur.


Shtuar 5.04.2024 16:33