Nga 5 gushti kanë nisur të zbatohen ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të miratuara nga Kuvendi gjatë muajit qershor. Dispozitat e reja parashikojnë masa më të rënda për shkelësit, me fokus të veçantë te drejtuesit që drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit.
Një drejtues që kapet për herë të dytë me përqendrim alkooli në gjak mbi 0.5 gram për litër (g/l), pasi më parë është penalizuar për të njëjtën shkelje, do të humbasë përgjithmonë lejen e drejtimit.
Të lidhura
None found
Sanksione më të forta do të zbatohen edhe ndaj personave që zhvillojnë ose marrin pjesë në gara shpejtësie në rrugë. Në të njëjtën kategori përfshihen edhe manovrat e rrezikshme, ndërrimi i përsëritur i korsisë pa përdorur sinjalizuesin dhe sjelljet agresive që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës. Për këto shkelje, gjobat do të jenë nga 20 mijë deri në 60 mijë lekë.
Rregullat e reja zgjerojnë gjithashtu ndalimin e përdorimit të telefonit celular në dorë gjatë lëvizjes. Ky kufizim nuk vlen vetëm për drejtuesit e automjeteve, por edhe për personat që drejtojnë biçikleta ose motomjete me kubikazh deri në 50 cc.
Dispozita të veçanta janë përcaktuar edhe për drejtuesit e rinj. Personat që e kanë marrë lejen e drejtimit të kategorisë B brenda dy viteve të fundit do t’i nënshtrohen tolerancës zero ndaj alkoolit. Për ta, kufiri maksimal i shpejtësisë është vendosur në 90 km/orë në autostrada dhe në rrugët interurbane kryesore, ndërsa jashtë qendrave të banuara nuk duhet të tejkalohet shpejtësia 80 km/orë.
