Prej dy ditësh, nxënësit e klasës së parë dhe të katërt në shkollën 9-vjeçare “Ibrahim Temo” në fshatin Kurdari të Njësisë Administrative Suç, në Bashkinë e Klosit, kanë bojkotuar mësimin.
Shkak për këtë bojkot, bëhet bashkimi i këtyre klasave në një klasë kolektive.
Prindërit dhe gjyshërit e nxënësve, kërkojnë që mësimi të bëhet si vitin e kaluar ku secila klasë të ketë mësuesin e tij.
Ata thonë se do të vijojnë protestën dhe bojkotin e mësimit, deri kur kërkesa e tyre të merret parasysh.
Drejtues të ZVA Klos thanë se problemi po shqyrtohet, ndërsa shkak për bashkimin e klasave është bërë ulja e numrit të nxënësve.
Veç problemit të bashkimit të klasave në kolektive, prindërit ngrejnë shqetësimin edhe për kushtet në këtë godinë arsimore, pasi sipas tyre është bërë vetëm lyerja nga jashta e asnjë meremetim brenda.