Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, është shprehur se nuk e ka krahasuar luftën e ukrainasve me atë të kosovarëve.
Klitschko përmes një postimi në rrjetet sociale ka mohuar në mënyrë eksplicite se ka thënë që “ukrainasit po luftojnë kundër pushtuesit rus, si dikur shqiptarët që luftuan kundër okupatorit serb”, kështu duke përgënjeshtruar supozimin e një mediumi me bazë në Zvicër, Le Canton27.
“Disa media të huaja online, përfshirë ato ruse, përhapën më tej gjoja ‘citimin’ tim për Serbinë dhe Shqipërinë. Unë nuk thash një gjë të tillë, edhe para se gazetarët ta kopjojnë këtë informacion të pretenduar dhe të citojnë atë, duhet të kërkojnë konfirmimin audio ose video të një ekskluziviteti të tillë”, ka shkruar kryebashkiaku i Kievit.
Intervista e gazetarit të Le Canton27, i cili publikon material në gjuhën shqipe, supozohej të jetë bërë në Davos të Zvicrës, ku kryetari i Kievit po merrte pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.
Deklarata e tij vjen pas lajmit që mori vëmendje të madhe në mediat e Serbisë dhe pati reagime të shumta nga politikanë e ministra serbë.