Kishte premtuar se nuk do të hidhnin fishekzjarrë, Berisha kap “mat” Ramën (VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka postuar ditën e sotme një video nga Parlamenti në faqen e tij zyrtare në Facebook ku në fjalën e tij Edi Rama shprehet se në rast të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE nuk do të ketë festime dhe fishekzjarrë.

“Kur të marrim statusin ne nuk do të festojmë. As do hedhim fishekzjarrë si paria e vitit ’36 siç ka ndodhur deri dje, se në fakt asaj parie ia keni pasur gjithmonë zilinë dhe asaj parie jeni munduar t’i ngjani”, dëgjohet të thotë Rama.

Ish-kryeministri këtyre pamjeve i ka bashkëngjitur edhe ato nga festa e zhvilluar dy ditë më parë në sheshin “Skënderbej”, e cila ishte organizuar nga qeveria dhe Bashkia Tiranë me rastin e çeljes zyrtare të negociatave me BE.

“Kësaj i thonë ç’më duhet mua se çfarë kam thënë unë!”, është mbishkrimi që shoqëron postimin e Berishës, si për të ironizuar kryeministrin Rama, i cili bie në kundërshtim me premtimin që kishte bërë dikur./albeu.com